Dëshmitari pohon që Zyrapi e bëri të ditur vetë për publikun se do të intervistohej

Dëshmitari pohon që Zyrapi e bëri të ditur vetë për publikun se do të intervistohej

Aktuale March 02, 2026 - 13:14

Pjesëtari i Prokurorisë, i cili po dëshmon me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë, pohoi se Bislim Zyrapi vetë ua kishte konfirmuar mediave në Kosovë që do të intervistohej nga Prokuroria.

Pohimi i dëshmitarit, erdhi pasi avokatja Sophie Menegon, e cila përfaqëson Hashim Thaçin, i prezantoi dokumente dhe artikuj nga mediat.

Veç kësaj, dëshmitari tregoi se cila ishte arsyeja pse Prokuroria nuk vendosi masa mbrojtëse për Zyrapin kur ai dëshmoi në korrik të vitit 2024.

“Zyrapi po ashtu është një figurë e njohur dhe publike në Kosovë dhe ka dhënë dëshmi edhe përpara gjykatave ndërkombëtare edhe përpara se të vinte këtu”, tha ai.

Dëshmitari tha se “nuk mund t’ju flas për këtë” kur u pyet se a ka dhënë dëshmi përpara gjykatave të Kosovës.

Ai pohoi se Zyrapi ka dhënë komente për ngjarjet e ’98-ës dhe ’99-ës në mediat kosovare.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një artikull në të cilin Zyrapi pretendohet se ka thënë se nuk kishte urdhër për vrasjen e Gani Gecit, por vetëm urdhër për arrestim. Ai mohoi se e ka parë ndonjëherë këtë artikull, duke thënë se nuk i kujtohet.

Dëshmitari pohoi se Zyrapi ka bërë komente për çështje që ai ka pasur t’i diskutojë për ZPS-në.

Rrjedhimisht, pasi nuk pati kundërshtime, dokumenti u pranua në prova materiale.

Përveç kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument i 5 qershorit 2023, në të cilën tregohej se Zyrapi po dëshmonte për rastin “Kleçka” , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari mohoi se ka dijeni për këtë artikull, por sipas asaj që thuhej në atë, u pajtua që Zyrapi ka dëshmuar edhe në gjykatat vendore lidhur me krime lufte.

Dëshmitari pohoi se më 2019-n vetë Zyrapi e kishte konfirmuar për media se do të intervistohej nga ZPS-ja.