Për herë të parë, Gjykata e Strasburgut regjistron padinë kundër Serbisë për pasivizimin e adresave në Luginë
Foto: Laura Hasani

Për herë të parë, Gjykata e Strasburgut regjistron padinë kundër Serbisë për pasivizimin e adresave në Luginë

Aktuale March 02, 2026 - 10:54
Pasivizimi i adresave në Luginë do të trajtohet nga Gjykata e Strasburgut

Pasivizimi i adresave në Luginë nga Serbia ka qenë një problem serioz me të cilën janë përballur shqiptarët atje.

Avokati Drini Grazhdani ka thënë se Gjykata e Strasburgut për herë të parë ka pranuar padinë kundër këtij fenomeni, shkruan Zeri.info.

“Padia është dorëzuar për shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur ndaj Teuta Fazliut. Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut është një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se kjo Gjykatë refuzon mbi 90% të rasteve që në fazën fillestare”, theksoi Grazhdani ndër të tjera.

Avokati u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarët që janë të prekur nga pasivizimi, të ndjekin procedurat e brendshme ligjore dhe ta luftojnë këtë dukuri.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar. /Zëri