FSK-ja hap konkurs për 320 ushtarë të rinj, ekspertët: Zgjerimi, investim në të ardhmen e mbrojtjes së vendit
Foto: Laura Hasani

FSK-ja hap konkurs për 320 ushtarë të rinj, ekspertët: Zgjerimi, investim në të ardhmen e mbrojtjes së vendit

Aktuale March 01, 2026 - 22:38

Në kuadër të fazës përmbyllëse të transformimit 10-vjeçar, Forca e Sigurisë së Kosovës ka hapur konkurs për 320 ushtarë të rinj, të moshës 18–25 vjeç, të cilët mund të aplikojnë nga 2 deri më 27 mars. Sipas ekspertëve të sigurisë, zgjerimi i radhëve të personelit përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e mbrojtjes së vendit, duke forcuar kapacitetet njerëzore dhe teknike dhe duke avancuar profesionalizimin e FSK-së.

Përgjatë vitit 2028, Forca e Sigurisë pritet të përmbyllë fazën e transformimit 10-vjeçar, gjatë së cilës ushtrisë i mbetet të vazhdojë me forcimin e kapaciteteve ushtarake, pajisjen me armatim modern dhe rritjen e numrit të trupave të saj.

Në kuadër të kësaj faze vendimtare, rritja dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe teknike përbën prioritet strategjik.

Hapja e konkursit për ushtarë të rinj, në këtë rast, nuk është vetëm një thirrje për rekrutim, por një ftesë për angazhim, përgjegjësi dhe shërbim ndaj atdheut.

Ndaj, 320 nga aplikantët do të kenë mundësi t’i bashkëngjiten ushtrisë së Kosovës për shërbim. Aplikimi është i hapur për personat e moshës 18–25 vjeç, nga data 2 deri më 27 mars.

Ky zgjerim i radhëve të personelit të FSK-së, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, përfaqëson investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e mbrojtjes së vendit, duke përmbushur në mënyrë aktive obligimet sipas konceptit të tranzicionit dhe duke bërë hapa të qëndrueshëm drejt forcimit të kapaciteteve ushtarake.

“Çdo konkurs që hapet për ushtarë, oficerë ose për pozita të ndryshme është për të plotësuar kapacitetin përfundimtar dhe për të treguar profesionalizmin e madh, me të cilin kjo forcë po shndërrohet në një ushtri të mirëfilltë. Ky është hapi më pozitiv që i ka ndodhur Republikës së Kosovës”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

“Vetë FSK-ja është duke treguar kapacitete dhe aftësi të ndryshme. Çdo pjesëmarrje që po e demonstron në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë SHBA-në dhe vendet e tjera mike, tregon se investimi dhe periudha 10-vjeçare nga 2018 deri më 2028 pritet të përmbyllet në formën më të mirë”, thaksoi Gurakuq Kuqi nga Instituti “Octopus”.

Të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes për gjendjen aktuale të personelit tregojnë se komponenti aktiv është afër përmbushjes së kapacitetit të planifikuar, me 4,469 ushtarakë aktivë nga 5,000 sa parashihet deri në fazën përmbyllëse, që përbëjnë 89.5% të objektivit strategjik./RTK