Reduktohet përdorimi i qeseve plastike në Kosovë
Përdorimi i qeseve plastike në Kosovë është reduktuar ndjeshëm, pas vendosjes së tarifës prej 0.05 € për çdo qese plastike të lehtë, sipas Udhëzimi Administrativ Nr. 07/2023.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e Kosovës ka bërë të ditur se masa “ka nxitur ndryshime të dukshme në sjelljen e konsumatorëve dhe në treg, brenda një periudhe relativisht të shkurtër zbatimi”.
Sipas raportit, konsumi mesatar vjetor për vitin 2024 ishte rreth 55 qese plastike për person, më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 66.6 qeseve për person dhe dukshëm nën targetin e përcaktuar për vitin 2024, që ishte 180 qese plastike për person.
Vlerësimi është hartuar mbi bazën e rishikimit të dokumenteve ligjore dhe konsultimeve me palët e interesit, duke kombinuar të dhëna sasiore nga regjistrat institucionalë, anketat dhe shitësit me pakicë, si dhe informacione cilësore nga vizitat në terren.
“Raporti ofron një analizë gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në evidencë për të informuar vendimmarrjen e ardhshme politike”, thuhet në njoftim.
Realizimi i këtij vlerësimi është mbështetur nga GIZ dhe pasqyron diskutimet e realizuara gjatë vitit 2024 ndërmjet GIZ-it, MMPHI-së, palëve të interesit dhe konsulencës së angazhuar.