UP-ja mban edicionin e parë të shkollës dimërore WARM UP

UP-ja mban edicionin e parë të shkollës dimërore WARM UP

Aktuale February 25, 2026 - 08:12

Universiteti i Prishtinës ka themeluar për herë të parë shkollën dimërore WARM UP, një nismë akademike që synon të institucionalizohet dhe të bëhet pjesë e kalendarit të rregullt akademik të universitetit.

Edicioni i parë i WARM UP – Winter Academy of Research Methods at the University of Prishtina do të mbahet nga sot dhe zgjat deri të premten, me ligjërata dhe punëtori të përbashkëta të profesorëve nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Luksemburgut.

Shkolla dimërore WARM UP ka për qëllim avancimin e studimeve të doktoratës dhe forcimin e kërkimit shkencor në Universitetin e Prishtinës, duke u shndërruar në një pikëtakim të qëndrueshëm akademik për studiues me përvojë dhe për ata që janë në fillimet e karrierës akademike.

Gjatë sesioneve do të trajtohen temat që lidhen me praktikat më të mira në dizajnimin e programeve të doktoratës, sfidat e studimeve doktorale, financimin e kërkimit shkencor, si dhe orientimin e programeve të doktoratës drejt adresimit të sfidave shoqërore, politikave publike dhe nevojave të industrisë. Një sesion i veçantë do t’u kushtohet programeve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës.

Në kuadër të shkollës do të organizohet edhe një kolokium doktoral me studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, duke përfshirë studentët e këtij fakulteti që kanë qëndruar në Qendrën SnT të Universitetit të Luksemburgut, ku do të prezantohet puna e tyre kërkimore.

Shkolla dimërore “Warm UP” mbështetet nga LuxDev dhe Ambasada e Mbretërisë së Luksemburgut në Kosovë.