Ahmeti në SHBA kërkon mbështetje për njohje të reja dhe për anëtarësim në NATO
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi takime të ndara në Washington, D.C. me senatorin Gary Peters dhe kongresistin Ritchie Torres.
Në kuadër të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këto takime është diskutuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Po ashtu, siç thekson MPJD-ja në njoftimin për media, “u theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme të ShBA-së për njohje të reja ndërkombëtare për Republikën e Kosovës dhe për avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO”.
Pjesë e diskutimeve thuhet se ishte edhe mbështetja e ofruar përmes Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për të cilin Ahmeti shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të ShBA-së në avancimin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjithashtu, u diskutua edhe për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar nevojën për përmirësimin e të drejtave dhe kushteve të tyre dhe për një vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj gjendjes së tyre.