Hoxhaj pro një kandidati për president nga familja Jashari: PDK-ja ka dalë nga lufta e jo nga printerat si draftstatut
Foto: Laura Hasani

Hoxhaj pro një kandidati për president nga familja Jashari: PDK-ja ka dalë nga lufta e jo nga printerat si draftstatut

Aktuale February 24, 2026 - 12:14

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se ai personalisht do ta përkrahte një kandidat për president që do të vinte nga familja Jashari, por që vendimi merret nga Kryesia e PDK-së.

“Kryetari i partisë, i cili ishte në komunikim publik dhe e pati qëndrimin e qartë të tij, i cili ishte më se në mbështetje të një kandidature të tillë, por ende nuk kemi një qëndrim të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe duhet ta kemi një debat në Kryesinë e PDK-së, mandej të japim. Natyrisht që ky shtet është në themelet e gjakut të tij dhe Kuvendi është i ndërtuar në sakrificën e tyre, Kosova është e ndërtuar me sakrificën e tyre dhe ne çdoherë i përkulemi një familjeje të tillë. Personalisht, vota ime është pro familjes Jashari, por përtej kësaj i takon vetë Kryesisë së PDK-së të japë një qëndrim të tillë dhe një dialogu që duhet të jetë më përmbajtësor mes kryeministrit dhe kryetarëve të partive politike në opozitë se si duhet t’i qasemi kësaj teme”, tha ai.

Hoxhaj madje tha se PDK-ja ka dalë nga lufta dhe se ajo nuk u bë nga zyrat e ngrohta e as prej printerave si draftstatut.

“Por vendimi politik, komunikimi i vendimit politik i takon një subjekti politik, i cili ka dalë gjithashtu prej luftës, sepse PDK nuk ka dalë prej zyrave të ngrohta e as prej printerave si draft-statut, por kemi dalë aty ku ka ecur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe e shohim vendimtare që, në përputhje me këtë dinjitet që përfaqësojmë, të sillemi edhe me votën tonë në Kuvend të Kosovës”, theksoi Hoxhaj. /EO