Mbrojtja optimiste për një epilog pozitiv ndaj ish krerëve të UÇK-së
Pavarësisht sukseseve jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në fusha të tjera, Kosova si shtet po ballafaqohet edhe me një sfidë, me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e që tashmë po i afrohet fazës së vendimmarrjes. Pas një gjykimi të gjatë dhe kompleks, ekipi i mbrojtjes është shprehur optimist për një epilog pozitiv, duke theksuar se prokuroria ka dështuar t`i argumentojë akuzat me prova bindëse.
Pas përmbylljes së deklarimeve përfundimtare në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve avokati Skënder Musa deklaroi se gjatë procesit janë paraqitur prova kundërthënëse dhe se, sipas tij, mungojnë prova materiale që do të mbështesnin akuzat. Ai theksoi se në gjuhën juridike bëhet fjalë për mungesë të provave thelbësisht të mbështetshme dhe se dëshmitë e paraqitura nuk kanë vërtetuar elemente të veprës penale, andaj u shpreh optimist që vendimi do të jetë pozitiv.
“Pas analizimit të të gjitha këtyre propozimeve dhe provave që janë të shkruara dhe incizuara përmes video kamerave në incizime gjatë seancave, trupi gjykues do të vendosë. Besoj që vendimi ka qenë lirues duke pasë parasysh këtë gjendje. Mirëpo asnjëherë nuk mund të paragjykohet çështja e vendimeve”, tha ai.
Musa thotë se kërkesa e prokurorisë për dënim prej 45 vjetësh burgim është në kundërshtim me Kodin Penal të Kosovës, derisa foli për rëndësinë që ka një vendim lirues për ish- krerët e UÇK-së, por edhe për pasojat e një vendimi tjetër.
“Është tepër e rëndësishme për vendin që vendimi të jetë lirues në këtë çështje për shkak që pastrohet në tërësi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e popullit të Kosovës dhe rruga e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Edhe pse në aspektin politiko-juridik nuk ka luftë që nuk tejkalohet e drejta për të mbrojtur dhe nuk mund të njolloset lufta jonë për shkak të një gjykate. Pasojat në radhë të parë do të jenë të larta sepse kemi të bëjmë me udhëheqësin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, udhëheqësin e Qeverisë së Kosovës, personin që e ka shpallë Pavarësinë e Kosovës dhe natyrisht propaganda, diplomacia serbe, ruse dhe vendet aleate të tyre, Kina dhe vendet jo demokratike të botës do të lobojnë shumë për ta penguar Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, OKB e të tjera, do të lobojnë për çnjohje ", tha Musa.
Ndërkohë, avokati i Thaçit, Luka Mishetic, pas përfundimit të deklarimeve përfundimtare është shprehur optimist për një rezultat pozitiv. Ai deklaroi se pas argumenteve të dëgjuara nga të dyja palët, vendimi përfundimtar mbetet në dorën e trupit gjykues.