Qeveria: Organizatat e dala nga UÇK-ja janë pjesë e Këshillit të Epopesë
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj pretendimeve se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe të pabazuara.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, me Vendimin Nr. 01/02, datë 20.02.2026, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Ky këshill kryesohet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa bashkëkryesohet nga ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Në vendim, theksohet shprehimisht përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si pjesë përbërëse e këtij këshilli. Ministria bën të ditur se sot i është dërguar ftesë zyrtare përfaqësuesit të OVL UÇK për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror, ndërsa takimi inicues i këtij mekanizmi do të mbahet nesër në ora 13:00.
Ministria e Mbrojtjes thekson se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për bashkëpunim gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional, me qëllim organizimin dhe shënimin dinjitoz të kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë kombëtare.
Sipas njoftimit, 28-vjetori i Epopesë së UÇK-së do të shënohet në frymën e unitetit, respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.