Telefonata nga Siria i zbuloi dy shqiptarët ish-luftëtarë të ISIS-it, donin të votonin në zgjedhje lokale

Telefonata nga Siria i zbuloi dy shqiptarët ish-luftëtarë të ISIS-it, donin të votonin në zgjedhje lokale

Aktuale February 23, 2026 - 12:16

Marc Ghorayeb, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, ka treguar se në burgjet e Sirisë aktualisht janë tetë shtetas shqiptarë, ish-luftëtarë të ISIS-it.

Sipas tij, dy të tjerë janë ndarë nga jeta teksa mbaheshin në burgun Shaddadi.

Top Channel ka raportuar me burime se në Siri vijojnë të jenë edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët nuk janë kapur asnjëherë prej autoriteteve kurde.

Ata janë nga qyteti i Shkodrës, prej ku u larguan për t’iu bashkuar ISIS-it në vitin 2013.

Ndër të tjera është zbuluar se gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 2023 në Shqipëri, ata kanë telefonuar njërin prej dy kandidatëve të Shkodrës, duke i shprehur dëshirën e rikthimit në atdhe, për të votuar për të.

Përballja me drejtësinë e ka frenuar dëshirën, megjithatë ka zbuluar ekzistencën e tyre të panjohur në Siri deri atë moment.

Të njëjtat burime tregojnë se autoritet lokale të inteligjencës, janë vënë në dijeni të kësaj bisede ardhur nga Siria në telefonin e kandidatit për kryetar bashkie.

Ky informacion i ka shkuar departamentit të analizës në Tiranë dhe është avancuar më tej duke hapur dy dosje ndjekjeje për dy shkodranët në Siri.

Po ashtu është zbuluar edhe identiteti i tyre dhe njerëzit që i ndihmuan për t’u futur ilegalisht nga Turqia në Siri.