BDI-ja vlerëson pozitivisht vendimin e Grubit: Do ta ndjekim me kujdes procesin

BDI-ja vlerëson pozitivisht vendimin e Grubit: Do ta ndjekim me kujdes procesin

Aktuale February 23, 2026 - 12:10

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka vlerësuar pozitivisht vendimin e Artan Grubit për t’u kthyer në vend, duke krijuar kështu, sipas BDI-së, mundësinë që përmes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme të paraqiten të gjitha argumentet në dispozicion dhe të sqarohen të gjitha çështjet.

“Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale”, thotë BDI-ja në një komunikatë për medie.

Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se mbetet i palëkundur në qëndrimin se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.

“Pa selektivitet, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikime politike. Vetëm një procedurë e drejtë dhe profesionale i shërben së vërtetës, institucioneve dhe besimit të qytetarëve”, thotë tutje BDI-ja.

Nga kjo parti kanë thënë se duke marrë parasysh interesin e lartë politik dhe publik për këtë rast, do ta ndjekin me kujdes procesin në të gjitha fazat e tij.