KEK-u shpalli konkursin e tretë për kryeshef ekzekutiv, gati tre vjet me ushtrues detyre
Foto: Laura Hasani

KEK-u shpalli konkursin e tretë për kryeshef ekzekutiv, gati tre vjet me ushtrues detyre

Aktuale February 22, 2026 - 20:12

Dy muaj pa u bërë tre vjet të plota të udhëheqjes së ndërmarrjes me ushtrues detyre, Korporata Energjetike e Kosovës shpalli konkursin e radhës për kryeshef ekzekutiv.

Kjo është përpjekja e tretë për të rekrutuar kryeshefin e ri.

Derisa konkursi i parë, më 2024, kishte dështuar menjëherë pas mbylljes, një vit më vonë i dyti shkoi deri në fund por, më 1 Korrik 2025, kur duhej të niste punën kandidati i përzgjedhur Ylber Batalli, refuzoi ta marrë detyrën.

Teksa theksoi se KEK-u është dashur që menjëherë të hapte shpalljen e re për këtë pozitë, e jo të priste edhe gjysmë viti, Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë përmendi disa nga pasojat e vonesave – me theks te investimet.“Mungesa e një drejtuesi funksional krijon një numër të madh të paqartësive dhe pasigurie në funksionimin e ndërmarrjes, duke e ditur sa e rëndësishme është Korporata Energjetike e Kosovës për gjithë vendin, në përgjithësi, dhe ekonominë në veçanti”, ka deklaruar Ahmeti.

Ngjarjet në këtë ndërmarrje, sipas Ahmetit, po ashtu kanë ndikim negativ.

“Kur i sheh zhvillimet që kanë ndodhur, arrestimi, i ish-kryeshefit, tërheqjen e drejtuesit (të zgjedhur), kjo e krijon një lloj pasigurie tjetër që njerëzit ose profesionistët e fushës që kanë gatishmëri për të dhënë kontributin mund edhe që të hezitojnë që të konkurrojnë në këtë konkurs”, ka theksuar ai.

Konkursi i ri për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje me të hyra vjetore prej më shumë se 200 milionë eurosh do të jetë i hapur deri më 11 Mars, ndërsa mandati i të emëruarit do të jetë katër vjeçar.

Tash e një vit, nga Shkurti 2025, këtë detyrë e ushtron Gramos Hashani. Ndërsa para tij, ushtrues detyre më 2023 dhe 2024 kanë qenë Përparim Kabashi dhe Bekir Gërguri.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar më 19 Prill 2023, një javë më vonë ishte suspenduar, ndërsa në Shkurt 2024 ishte shkarkuar nga pozita dhe aktualisht mbrohet në liri teksa po vazhdon procesi gjyqësor ndaj tij./dukagjini