Organizatat ndërkombëtare kërkojnë financim të plotë për RTK-në
Foto: Laura Hasani

Organizatat ndërkombëtare kërkojnë financim të plotë për RTK-në

Aktuale February 21, 2026 - 19:00

Organizatat ndërkombëtare të gazetarëve dhe lirisë së medias, ECPMF, IPI, EFJ, Reporterët pa Kufij, Indeksi mbi Censurën dhe OBCT kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me financimin e pamjaftueshëm të RTK-së dhe kanë kërkuar urgjentisht nga institcionet e Kosovës, që të përmbushin kërkesat ligjore të buxhetit.

Në komunikatën e tyre, organizatat nënvizojnë se “sipas projektligjit për Buxhetin e vitit 2026, parlamenti, bazuar në propozimin e qeverisë, do të ndajë vetëm 8.9 milionë euro, të cilat janë të mjaftueshme vetëm për të mbuluar nevojat themelore operative, siç janë pagat e stafit”.

Sipas organizatave, një deficit buxhetor i kësaj shkalle do të dëmtonte seriozisht aftësinë e transmetuesit publik për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe për të përmbushur misionin e tij për të informuar qytetarët për çështje me interes publik. Ato theksojnë se nëse RTK do të merrte buxhetin që i takon ligjërisht, do të mund të vepronte në mënyrë të pavarur nga çdo ndërhyrje e qeverisë dhe parlamentit, duke mundësuar njëkohësisht investime dhe zhvillim të mëtejshëm.

Në reagim përmendet gjithashtu se Neni 5 i Aktit Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) të Bashkimit Evropian kërkon që shtetet anëtare – të cilat Kosova aspiron të bëhet – të sigurojnë financim të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm për mediat e shërbimit publik, në mënyrë që të garantohet funksionimi i tyre i qëndrueshëm dhe i pavarur.

Sipas organizatave, sistemi buxhetor i propozuar bie ndesh me kornizën ligjore ekzistuese dhe, nëse zbatohet, do të shkelte këtë dispozitë të EMFA-s. Ato i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të nisin punën për zbatimin e EMFA-s, si dhe të fillojnë diskutimet për reformimin e financimit dhe qeverisjes së RTK-së, me qëllim garantimin e pavarësisë editoriale dhe funksionale.

Para vendimit të pritur buxhetor, organizatat i kërkojnë kryeministrit, Albin Kurti, si dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të sigurojnë që transmetuesi publik të marrë buxhet të mjaftueshëm dhe të drejtë në përputhje me ligjin dhe të mos i nënshtrohet presionit politik përmes kufizimeve buxhetore.