Haradinaj: Lavdia e Agron Gjocajt është e përjetshme

Haradinaj: Lavdia e Agron Gjocajt është e përjetshme

Aktuale February 21, 2026 - 15:38

Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar me nderim dëshmorin Agron Gjocaj, duke vlerësuar lart kontributin dhe sakrificën e tij në luftën për lirinë e Kosovës.

Në postimin e tij, Haradinaj theksoi se Agron Gjocaj ishte ushtar i përpiktë dhe i guximshëm, gjithmonë në vijën e parë të frontit, kudo që e kërkonte nevoja në Zonën e Dukagjinit. I lindur në Baballoq të Deçanit, i rritur në frymën patriotike nga prindërit Sadri dhe Zejnepe Gjocaj, ai iu bashkua Ushtria Çlirimtare e Kosovës së bashku me vëllanë e tij Dinin, Faikun, Samiun dhe axhën Rexhepin, duke i dhënë familjarisht kuptim të plotë sakrificës për liri.

Haradinaj ka theksuar se përveç trimërisë së dëshmuar në shumë beteja, Agroni ishte i angazhuar edhe në furnizimin me armatim, një rol jetik për rrjedhën e luftës. Ai ra dëshmor më 18 gusht, në trekufirin, së bashku me bashkëluftëtarët Avni Bali Sinanajn dhe Milaim Rexhë Gjocajn.

“Sot, trupi i tij do të prehet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Baballoq, pranë bashkëluftëtarëve të tij. Lavdia e Agron Gjocajt është e përjetshme dhe kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona. Mirënjohje e përjetshme për shërbimin ndaj atdheut”, ka shkruar Haradinaj.