Shëndetësia përtej kufijve lokalë në Prizren
Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka rritur numrin e shërbimeve shëndetësore, që nuk anashkalojnë edhe pacientë nga qarqet e veriut të Shqipërisë. Drejtues të këtij institucioni shëndetësor nënvizojnë se ka shënuar rritje edhe numri i hospitalizimeve dhe vizitave ambulante specialistike.
Tash e dy dekada, jeta e Fadil Rexhajt është e lidhur në aparatin e shërbimit shëndetësor të hemodializës. Përgjatë kësaj kohe, ai vë në pah se shërbimet në Spitalin e Përgjithshëm “Daut Mustafa" në Prizren, kanë ndryshuar për mirë.
"Me salla me shtretër, me tavolina, me të gjitha, krejt janë të ndryshuara. Nuk kam nevojë të blejë ilaçe, jo, jo, këtu i kemi të gjitha na i japin, kështu barna ndihmëse nuk marr, kësi shtesa, vetëm këto që i kam të dializës, mjekët intervenojnë menjëherë", tha ai.
Repartet e këtij spitali pranojnë e përcjellin pacientë nga i gjithë vendi. Hatixhe dhe Zaim Krasniqi vijnë nga Malisheva. Zaimi ka 18 vjet dhe Hatixhja tri vjet që ndihmohen në funksionimin normal të veshkave, përmes aparaturave të dializës.
"Këtu shumë mirë po më këqyrin, s'ka më mirë ma, jam pak më dobët tash kohët e fundit, ndoshta prej peshës, veç me një veshkë jam, për atë po më ndikon", tha Hatixhe Krasniqi.
"S'kemi pas dorëza e as garza sterile nuk kemi pas sa duhet, tash ato janë. Disa gjëra janë më mirë, ka përmirësim shumë të madh. Mjekët i kemi non-stop këtu vijnë menjëherë. Ilaçe blejmë ndonjëherë që i kemi plus, kurse ato të dializës janë", tha Zaim Krasniqi.
E që nga viti 2003- 2004, reparti i hemodializës, u shërben edhe 15 pacientëve nga veriu i Shqipërisë.
"A ju duhet ndonjë dokument shtesë? Jo, nuk ka nevojë, veç lajmërohet se është banor i Kukësit, vetëm e hapim historinë dhe vazhdon të shërbehet ashtu siç shërbehen banorët e Kosovës, nuk kanë kurrfarë dallimi", tha Rexhep Hapçiu, shef i repartit të Hemodializës.
Zona të ndryshme të Shqipërisë, janë pjesë e shërbimeve në spitalin e përgjithshëm të Prizrenit.
"Me shumë kompetencë mund të them se Spitali i Prizrenit e mbulon pothuajse të gjithë Qarkun e Kukësit. Duke parë edhe shifrat e vitit të kaluar, janë diku 800 hospitalizime që kemi pas, mesatarisht dy pacientë ditor, pastaj kemi pas deri në 3500 vizita ambulatore specialistike, kemi pas rreth 1000 vizita tjera në emergjencë e reparte të tjera", tha Osman Hajdari, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm "Daut Mustafa".
Pos Spitalit të Prizrenit, shërbime shëndetësore për pacientët nga Shqipëria ofron edhe Spitali i Gjakovës dhe Pejës. /rtk