Disa shkolla në Prishtinë s’e zbatojnë vendimin e orarit për Ramazan
Një ditë më parë u kumtua lajmi që mësimi të fillojë në orën 07:30.
E i gjithë procesi mësimor në Prishtinë, të përfundojë më së largu deri në orën 17:00.
Por nuk vonoi shumë, e ky vendim i Drejtorisë së Arsimit në kryeqytet u vërshua nga reagime të shumta.
Riorganizimi i mësimit gjatë muajit të Ramazanit nuk u prit mirë nga të gjithë.
Kësisoj, nga kjo Drejtori u detyruan të dalin edhe me një sqarim shtesë.
“Ky vendim nuk ka ardhur nga ndonjë qasje ideologjike, por nga realiteti praktik i shkollave. Në Drejtorinë e Arsimit kemi pranuar shumë kërkesa nga drejtorë, mësimdhënës, prindër dhe nxënës për riorganizim të orarit gjatë kësaj periudhe. Vetëm nga raportimet e mësimdhënësve, një pjesë e konsiderueshme e prindërve kanë shprehur vështirësi konkrete në organizimin e marrjes së fëmijëve në orët e fundit. Kur përballesh me një situatë të tillë, institucioni ka detyrë të tregojë fleksibilitet dhe ndjeshmëri, në funksion të mirëqenies së nxënësve dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor”, deklaroi drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini.
Pavarësisht kësaj, pati shkolla që vendosën ta shpërfillin vendimin.
“Shkolla ‘Ismail Qemali’ nuk e ka refuzu, po për arsyeje praktike nuk ka mujt me realizu. Janë shumë arsyeje, për shkak të numrit të madh të nxënësve ku duhet të dalin nga procesi mësimor 1300 nxënës në ndërrimin e paradites, në të njëjtën kohë vazhdon me hy ndërrimi i pasdites, Kjo është mënyra pse ne nuk e kemi bo riorganizimin e orarit mësimor”, tha drejtoresha e Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi.
Por si po shihet ky vendim i DKA-së nga njohësit e arsimit?
“Përderisa vendimi nuk e cenon kohëzgjatjen e procesit mësimor dhe nuk e cenon në asnjë moment kalendarin mësimor zyrtar të miratuar nga Ministria, nuk gjykojmë si i tillë e meriton këtë vëmendje në nxitje të këtij debatit kaq të madh. Për një diçka është periferike, është zbatuar plot herë në vitin e kalum dhe në rastet e tjera dhe është në të drejtë e komunitetit të shkollave të vendosin vetë”, tha njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
Ky vendim i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë përfshin gjithashtu shkurtimin e kohëzgjatjes e mesndërrimit si dhe reduktimin e pushimit të gjatë./teve1