OVL e UÇK-së nuk i bashkohet Këshillit për shënimin e Epopesë
Foto: Laura Hasani

OVL e UÇK-së nuk i bashkohet Këshillit për shënimin e Epopesë

Aktuale February 20, 2026 - 16:57

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk do të jetë pjesë e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i themeluar sot nga Qeveria e Kosovës.

Nënkryetari i OVL-së, Gazmend Syla, tha për Radio Dukagjini se organizata nuk ka marr asnjë ftesë nga institucionet për t’u përfshirë në këtë këshill.

Ai shtoi se edhe në rast se do të ftoheshin, nuk do t’i bashkoheshin aktiviteteve.Sipas Sylës, mungesa e bashkëpunimit me Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti ka zgjatur më shumë se gjashtë vjet.

Ai akuzoi ekzekutivin për mungesë respekti dhe trajtim jo dinjitoz ndaj veteranëve, duke përmendur çështjen e pensioneve si dhe qëndrimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Duke komentuar emërimin e Andin Hoti si ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Syla tha se në rrethana normale organizatat e dala nga lufta do të duhej të njoftoheshin për krijimin e një ministrie që lidhet drejtpërdrejt me këtë kategori, por as kjo nuk ka ndodhur.Megjithatë, ai theksoi se OVL-ja e mirëpret themelimin e ministrisë dhe pret një qasje më përfshirëse në të ardhmen.