Rama, pjesëmarrës në Këshillin e Atlantikut
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në tryezën e Këshillit të Atlantikut në Uashington, një nga organizatat më të rëndësishme të politikave strategjike në SHBA.
Kryeministri theksoi se në këtë takim pati një interes të lartë për Shqipërinë dhe profilin e saj ndërkombëtar.
Po ashtu, Rama theksoi se “në takim pati interes të lartë edhe mbi pikëpamjet tona mbi Bordin e Paqes, konfliktet e hapura si edhe rrugën e zgjerimit të Bashkimit Evropian”.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Uashington me ftesë të presidentit të SHBA-së Donald Trump, ku mori pjesë dje në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare, e krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës.
Në kuadër të angazhimit si vend anëtar themelues në Bordin e Paqes, Shqipëria do të kontribuojë me trupa ushtarake në Rripin e Gazës.