Hamza: Sakrifica e minatorëve ishte frymëzim në rrugën tonë drejt lirisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar sot 37-vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të “Trepçës”, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të qëndresës kombëtare.
Hamza, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se minatorët, duke ngritur zërin për dinjitet dhe për të drejtat e popullit, u shndërruan në simbol të guximit dhe solidaritetit.
Sipas tij, sakrifica e tyre ishte frymëzim në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ai nënvizoi se sot përgjegjësia institucionale dhe qytetare është ruajtja, forcimi dhe zhvillimi i Kosovës, duke garantuar drejtësi, barazi dhe mundësi për çdo qytetar, pa dallim.
“Mirënjohje e përhershme për minatorët tanë”, ka përfunduar Hamza, duke rikujtuar rolin historik të tyre në momentet kyçe të historisë së vendit.