Deliu-Kodra: Emri i presidentit s’duhet të jetë zgjatim i qeverisë
Deputetja e Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se figura e presidentit të ardhshëm nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë aktuale, por një figurë unifikuese që përfaqëson të gjithë qytetarët dhe garanton kushtetutshmërinë e shtetit.
Deliu-Kodra theksoi se presidenti duhet të jetë mbi interesat partiake dhe të mos përfaqësojë vetëm një shumicë parlamentare.
“Unë mendoj dhe PDK-ja në këtë rast, që emri i presidentit nuk duhet të jetë zgjatim i kësaj qeverie. Duhet të jetë figurë unifikuese, e cila nuk përçan, nuk ndanë, nuk përfaqëson vetëm një shumicë parlamentare. Por përfaqëson qytetarët, unitetin dhe mbi të gjitha kushtetutshmërinë e këtij shteti”, ka thënë deputetja e PDK-së.
4 marsi po afrohet, data e fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet të votojë për figurën që do ta mbajë postin e presidentit për një mandat pesëvjeçar. Deri më tani nuk ka emra konkretë të propozuar publikisht. /dukagjini