Administrohen provat materiale në rastin “Banjska”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten në seancën ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24ështatoritë2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, është bërë administrimi i provave materiale.
Fillimisht, mbojtësja e të akuzuarit Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq tha se dëshmitari Millosh Radosavleviq ndodhet në Serbi për mjekim, andaj ka dorëzuar parashtresë për leximin e deklaratës së tij të dhënë më 12 shtator 2024, duke kërkuar nga Gjykata që ta sigurojë atë deklaratë përmes rrugëve zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ajo theksoi se dje përmes e-mailit, avokati i dëshmitarit Radosavleviq, Predrag Milkoviq, ka thënë se ky dëshmitar është dëgjuar për ngjarjet në Banjskë. Tha se edhe zv/komandanti i Policisë për veri, Veton Elshani, ka vënë në dijeni publikun se dëshmitari është dëgjuar për rrethanat në Banjskë.
Të gjitha këto, Filipoviq tha se janë dorëzuar me parashtresë.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni e pyeti avokaten nëse mbesin pranë propozimit që ky dëshmitar të dëgjohet në mars.
Por, avokatja Filipoviq tha se nga raporti mjekësor që ka dorëzuar dje, shihet edhe se diagnoza e dëshmitarit nuk është caktuar, kështu konsideron që të sigurohet deklarata e tij e dhënë më herët, ngase nuk mund të di nëse Radosavleviq mund t’i përgjigjet ftesës në muajin mars.
Ajo shtoi se duke qenë se të akuzuarit gjenden nën masën e paraburgimit, heq dorë nga dëgjimi i këtij dëgjmitari në seancë, por që deklarata e tij e dhënë më herët të sigurohet dhe të administrohet si provë.
Më pas, gjykatësi Arrni tha se meqenëse avokatja Filipoviq u tërhoq nga propozimi për dëgjimin e dëshmitarit dhe nnuk kanë planifikuar tjetër dëshmitar për këtë seancë, seanca do të vazhdojë me administrimin e provave materiale.
Gjykatësi tha se edhe për propozimin e Filipoviq që dëshmia e Radosavleviq e dhënë më 2024 të administrohet si provë, do të vendoset pas marrjes së propozimit të palëve.
Më pas, prokurori special Naim Abazi tha se propozojnë për administrim provat materiale të propozuara në aktakuzë.
Ai tha se kanë propozuar që disa prova që lidhen me të pandehurit e tjerë, të mos administrohen, ndërkaq të tjerat po.
Duke listuar provat që propozojnë për administrim, Abazi tha se propozojonë: dy raporte nga SHBA, po ashtu sipas indekseve të administrohen disa prova të caktuara nga dosja 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14. Për dy të fundit, tha se lidhen me provat individuale të të akuzuarve dhe propozoi që ato të administrohen vetëm sa i përket të pandehurve që janë në shqyrtim gjyqësor, me arsyetimin se këto prova përmbajnë të dhëna edhe për të pandehurit tjeë.
Gjithashtu, prokurori propozoi të administrohen prova nga indeksi i dosjes 15, 16, 17, 18, 19. Kurse, në dosjen 20, ai tha se nuk propozojnë të admnistrohen provav 1-10 sepse lidhen me të pandehurit e tjerë lidhur me shpëlarje të parasë, por vetëm sa i përket tre të akuzuarve Spasojeviq, Toliq dhe Maksimoviq.
Më tej, prokurori Abazi propozoi që të administrohen disa prova sipas indeksit në dosjen 23, 24, 25 (vetëm për tre të pandehurit). Kurse, në dosjen 26 tha se deklaratat që përfshihen në provat 1-15 nuk ka nevojë të administrohen pasi janë dëgjuar në shqytim gjyqësor.
Më tej, propozoi administrimin e prova nga dosja 27, 28, 29, 30, 31, 32, 33, dhe 34- duke specifikuar për secilën provat e caktuara.
Abazi prezantoi edhe dy raporte shtesë të pranuara përmes ndihmës juridike ndërkomëtare përmes organeve ligjzbatuese në SHBA, raporti apo analizimi i të dhënave të pranuara nga META dhe Google, që kanë të bëjnë me të akuzuarin Maksimoviq- raport i përpiluar nga Njësia e Hetimeve- Drejtoria Kundër Terrorizmit, pas kërkesës për ndihmë juridike ndërkombëtare, e iniciuar nga PSRK.
Sipas prokurorit, këto materiale u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës. Tha se këto raporte përmbajnë të dhëna të natyrës teknike dhe dokumente të nxjerra nga sistemet zyrtare të Google dhe META- që lidhen me llogarinë elektronike të Maksimoviq, përfshirë historinë e lokacionit, prefiksin shtetëror të Serbisë, kontakte të personave që përfshihen në këtë proces gjyqësor, materiale fotografike ku shfaqen armë, municion dhe persona që përfshihen në hetim, e të dhëna mbi kërkime dhe nagivim në territorin e Kosovës.
“Nga analiza e kontakteve rezulton se ekzistenca e lidhjeve direkte me persona që janë subjekt i hetimit në këtë çështje penale tregon ekzistencën e një rrjeti komunikimi mes tyre”, tha Abazi.
Më tutje, ai tha se nga analiza e materialeve fotografike rezulton prania e fotove, ku shfaqen armë dhe municion, si dhe fotografi ku i akuzuari paraqitet në shoqërinë e një rrjeti komunikimi mes atyre që përfshihen në këtë procedurë.
Po ashtu, propozoi të administrohen edhe video-incizime si prova të rëndësishme në këtë proces.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, tha se mbështesin të gjitha propozimet e prokurorit, por kanë një kërkesë për plotësim të provave. Tha se duhet të administrohet indeksi i dosjes 26 ku bëhet fjalë për deklaratat e dhëna në procedurë paraprake, pasi bëhet fjalë për deklarat të dëshmitarëve- mes tyre njëri që ka ndryshuar deklaratën në shqyrtim gjyqësor.
Ai përmendi dëshmitarin Rade Nedelkoviq për ndryshim të deklaratës, duke thënë se kanë ushtruar kallëzim penal ndaj tij për deklarim të rremë. Kërkoi të administrohen si provë edhe deklarata e Dragana Antonieviq, deklarata e zyrtarëve policorë të dëmtuar si dhe të të akuzuarve.
Më pas, prokurori Abazi tha pajtohet të administrohen ato prova, pasi aty gjendet edhe pjesa e deklaratës së Toliqit më 25 prill 2024, pra në dosjen 26.
Mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Ljubomir Pantoviq, tha se ka pranuar vetëm shkresa që kanë të bëjnë me të mbrojturin e tij dhe dy të akuzuarit tjerë.
Pantoviq tha se kundërshton provat të cilat janë propozuara për administrim në këtë shqyrtim gjyqësor.
“Këtë lloj kundërshtimi i bëj për shkak se nga kjo aktakuzë nuk është e mundur duke shikuar në mënyrë objektive të vërtetohet se në çfarë lidhje është i mbrojturi im Spasojeiq me këto prova- veç një rasti ku flitet për gjurmët e barutit në rrobat e tij, të gjitha të tjerat në shiqim të provave që janë cek në aktakuzë, kanë të bëjnë vetëm me përshkrimin e mënyrës në të cilën është arestuar Blagoje- që nuk është e rëndësisë juridike dhe një foto që plotësisht gabim është interpretuar në aktakuzë”, tha Pantoviq.
Sipas tij, në faqen 125 të aktakuzës është një fotografi e propozuar për administrim si provë, ku shihen pesë persona që janë shtrirë në shtrat, e ku pretendohet se është edhe Spasojeviq me disa të pandehur tjerë të incizuar një natë para sulmit në Banjskë.
Avokati thotë se fotografia është shkrepur më 29 qershor 2021- dy vite e gjysmë para ngjarjes në Banjskë.
Me deklarimin e Pantoviq u pajtua edhe i akuzuari Blagoje Spasojeviq.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Toliq, avokati Millosh Deleviq, tha se ka parë që posedonn shkresa që nuk i posedojnë dy kolegët e tij.
Më pas, Deleviq tha se i kundërshton provat e propozuara nga prokurori pasi nuk mund të jenë bazë për vërtetimin e fajësisë.
Ai tha se i kundërshton provat e marra nga telefoni i Toliqit pa urdhër të gjykatës, duke pretenduar se është siguruar në mënyrë të kundërligjshme. Tha se edhe ekspertiza balistike është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale.
Avokati Deleviq tha se kundërshtojnë në tërësi konstatimet e ekspertit dhe prokurorit, që në bazë të pranisë së nitritit dhe nitratit- të vijnë në konstatim se Toliq ka marrë pjesë në mënyrë aktive në sulm. Andaj, kërkoi që ekspertiza të largohet nga shkresat e lëndës.
Deleviq po ashtu pretendoi se në mënyrë të paligjshme është siguruar edhe prova e mbledhjes së gjësendeve nga vetura e të akuzuarit Toliq. E për foton me zollë, ai thotë se i mbrojturi i tij ka thënë se nuk ka lidhje me të.
“Dhe se policët që e kanë bë bastisjen, atë zollë e kanë vendosë dhe e kanë fotografuar sikur të ishte e tij”, tha avokati.
Gjithashtu, ai thotë se nuk konstatohet a është bërë ekspertiza e armës së zjarrit që është gjetur direkt pranë Toliqit, për të vërtetuar se a e ka përdorë atë armë apo jo ai.
I akuzuari Toliq mbështeti deklarimin e avokatit të tij, duke shtuar se për fotografinë që është bërë në vendin e ngjarjes ku është arrestuar, zyrtarët policorë kanë incizuar dhe shpreson që i kanë ato incizime që sipas tij, provojnë se nuk ka poseduar zollën dhe nuk ka pasuur kurrfarë kontakti me të.
“Jam i gatshëm që në çdo çast të verifikohen gjurmët e mia, që do të tregojnë se unë nuk kam pas qasje dhe as nuk i kam prek ato armë. Pra, ama e treguar këtu dhe që më vihet në barrë se kam përdorur.”, tha ai.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq, tha se ia dorëzon gjykatës një raport nga e-maili. Ndërsa, shtoi se ka deklaruar që nuk i janë dorëzuar telefoni i konfiskuar nga Maksimoviqi kundërligjshëm, duke pasur parasysh se urdhri nuk është dorëzuar asnjëherë.
Ajo tha se bastisja e pajisjeve elektronike bëhet me urdhër të gjykatës. Andaj, propozoi që ato prova të shpallen të papranueshme dhe të përjashtohen nga shkresat e lëndës.
Kurse, për raportin e dorëzuar sot, Filipoviq thotë se është dorëzuar jashtë afatit dhe se PSRK-ja e ka pranuar në nëntor të 2025-ës.
Në fund, ajo propozoi t’iu dorëzohen të gjitha provat e propozuara nga prokurori special, në mënyrë që t’i kundërshtojnë.
E vetë Maksimoviqi tha se ka bërë kërkesë që t’i shoh incizimet që janë parashtruar në aktakuzë, dhe se nga paraburgimi e kanë njoftuar se duhet aprovimi i gjykatës, por që deri sot nuk ka marrë përgjigje. Kërkoi t’i miratohet kërkesa.
Pas mbrojtjes, prokurori Naim Abazi tha se avokatët prezantuan për administrim prova që janë propozuar edhe në aktakuzë.
Sa i përket fotos që u përmend e cila gjendet në aktakuzë, prokurori tha se nuk kanë thënë se është bërë një natë para sulmit, por që është bërë në hotelin ku kanë qenë të vendosur grupi para se të kryhej sulmi.
Ndërsa, sa i përket petendimeve për paligjshmërinë e urdhëresave dhe vendimeve, ai tha se ekzaminimi i telefonit pa urdhër të gjykatës është veprim procedural i bërë me legjislacionin në fuqi. Tha se ky standard është vendosur edhe me vendimin e shkallës së dytë.
Prokurori Abazi shtoi se provat për të akuzuarit tjerë që gjenden në arrati nuk janë dorëzuar, pasi gjykata ka vendosur që rasti ndaj tyre të pezullohet deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni me anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli, bëri të ditur se meqenëse është fundi i orarit të punës, seanca vazhdon nesër.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësi