Ish-prokurori në gjyqin kundër Millosheviqit në Hagë viziton Memorialin Përkujtimor në Reçak
Ish-prokurori kryesor në gjyqin kundër Slobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, Sir Geoffrey Nice, ka vizituar sot Memorialin Përkujtimor në Reçak të Shtimes.
Në këtë memorial, ku gjendet varret e një nga masakrave më të madhe në Kosovë, juristi britanik ka vendosur lule.
Gjatë kësaj vizite ai është shoqëruar nga ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Nerodimes, Shukri Buja.
“Sot, me ndjenjë të thellë respekti, përgjegjësie dhe përulësie para historisë, qëndruam në Memorialin Përkujtimor në Reçak, së bashku me mikun e madh të së vërtetës dhe drejtësisë, Sir Geoffrey Nice, si dhe me mikun Taulant Hodaj. Në tokën ku ndërgjegjja e botës u trondit nga krimi i rëndë ndaj civilëve të pafajshëm, u takuam me banorë dhe të mbijetuar të masakrës, dëshmitarë të gjallë të një plage që mbetet e hapur në kujtesën tonë kolektive. Vizituam kompleksin memorial, shtëpitë dhe vendet kyçe ku u morën jetë të pafajshme, por ku nuk u shua kurrë dinjiteti, qëndresa dhe e vërteta”, ka shkruar Buja në profilin e tij në Facebook.

