Simboli i UÇK-së shkakton reagim nga Serbia gjatë një konference ndërkombëtare në Vjenë

Simboli i UÇK-së shkakton reagim nga Serbia gjatë një konference ndërkombëtare në Vjenë

Aktuale February 19, 2026 - 15:09

Serbia ka tentuar të krijojë një incident gjatë konferencës ndërkombëtare “Projekti Zero” në ambientet e OKB-së në Vjenë, pasi ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, Elvana Shala, u shfaq me një kapelë që mbante simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Misioni i Serbisë në OSBE reagoi menjëherë, duke shprehur pakënaqësi dhe kërkuar largimin e simbolit nga salla. Në një deklaratë për mediat, ata theksuan se ndërhyrja e tyre kishte si qëllim të parandalonte, siç thanë, “një përpjekje për të nxjerrë në pah dhe promovuar simbolin e UÇK-së gjatë konferencës”. Sipas misionit serb, shërbimet kompetente të OKB-së reaguan duke siguruar që kapela me emblemën e UÇK-së të hiqej dhe shfaqja e simboleve të tilla gjatë tubimit nuk do të lejohej.

E kontaktuar nga “Zëri”, Elvana Shala ka sqaruar situatën. Ajo theksoi se ishte pjesë e konferencës për herë të tretë, duke përfaqësuar Kosovën dhe duke diskutuar mbi të drejtat e personave me aftësi të kufizuara – konferenca më e madhe globale për këtë kategori.

Image
Elvana Shala, ambasadore e Vullnetit të Mirë

Shala tregoi se kishte hyrë në ambientet e OKB-së me beretën me simbolin e UÇK-së dhe pas rreth një ore, misioni serb reagoi fuqishëm, duke e cilësuar paraqitjen e saj si provokim dhe kërkuar përjashtimin e Kosovës nga konferenca. Ajo sqaroi se hoqi vetëm beretën për të shmangur ndonjë konflikt dhe për të respektuar organizatorët, por nuk u largua nga salla ose nga konferenca.

“Është fakt që kam hyrë në OKB pa problem me beretën, dhe reagimi i Serbisë erdhi pas gati një ore, duke kërkuar përjashtimin e Kosovës. Unë hoqa beretën vetëm për të shmangur konfliktin dhe për të respektuar organizatorët, por nuk u largova nga salla. Konferenca vazhdon normalisht dhe po mbaj simbole të Kosovës pa asnjë problem”, tha Shala për Zërin.

Ambasadorja shtoi se nuk ka pasur asnjë provokim nga ana e saj ose nga pjesëmarrësit e tjerë, dhe shprehu keqardhje që Serbia vazhdon të përdorë edhe konferenca për të drejtat e njeriut për qëllime politike ditore.

Image
Elvana Shala, para objektit ku u mbajt konferenca në Vjenë, Austri