Aksion simbolik, vendoset mbishkrimi “Gjykata e Apelit shfajëson dhe shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

Aksion simbolik, vendoset mbishkrimi “Gjykata e Apelit shfajëson dhe shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”

Aktuale February 19, 2026 - 13:02

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion para Gjykatës së Apelit në Prishtinë, si reagim ndaj lirimit të akuzës për policin e akuzuar për abuzimin e shumëfishtë seksual të vajzës së mitur nga Drenasi më 2019-ën dhe kthimin në punë.

Ky Kolektiv kërkon nga Gjykata që polici i rikthyer në punë të largohet, pasi, siç theksojnë, i njëjti paraqet dyfish rrezik për çdo vajzë e grua në uniformë zyrtare.

Gjersa në dyert e Gjykatës së Apelit kanë vendosur një pankartë me mbishkrim “Gjykata e Apelit shfajëson dhe shpërblen abuzuesit e vajzave dhe grave”.

Image

“Dje në lajme u bë me dije se Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që përveçse ta lirojë nga akuza policin e akuzuar për abuzimin e shumëfishtë seksual të vajzës së mitur nga Drenasi në vitin 2019, ta dëmshpërblejë atë me mbi 45 mijë euro paga, trust e kamatë ligjore dhe ta kthejë në punë. Ky vendim i cili ka kaluar në heshtje në vitin 2024 paraqet alarm për sigurinë tonë kolektive si vajza dhe gra. Është lemeritëse për ne të marrim vesh se të akuzuarit për abuzim seksual të një vajze të mitur, përveç se është liruar, të vazhdojë të punojë në Policinë e Kosovës, e cila është adresa e parë për raportim të dhunës. Ky shfajësim dhe shpërblim i abuzuesve e ushqen edhe më tej mosbesimin, frikën dhe hezitimin që vajzat dhe gratë e kanë për të raportuar në institucione dhunën që ju bëhet. Teksa policia, gjykata e institucione tjera publike akomodojnë abuzues seksualë, ne nuk mund të jemi të sigurta askund. Andaj të revoltuar/a, nga kjo gjykatë kërkojmë që polici i rikthyer në punë të largohet nga puna duke qenë së i njejti paraqet dyfish rrezik për çdo vajzë e grua në uniformë zyrtare. Kërkojmë dhe thërrasim veprim kolektiv ndaj kësaj praktike shfajësuese e cila po normon dhunë mbi trupat tanë. Të vetëdijshme për rrezikshmërinë e kudogjendur që na i përshkon jetët tona, ne përveç vigjilencës tonë, kërkojmë edhe solidarizim e organizim shoqëror për t’i bërë ballë sulmeve të shumëanshme që na bëhen. Vetëm nëpërmjet solidarizimit, refuzimit të dhunës së institucionalizuar patriarkale dhe organizimit të shtrirë shoqëror, mund t’i mbrojmë trupat tanë kundër këtij shteti patriarkal”, thuhet në komunikatën për media.

Image