AUV: Qenve t’u vendosen mikroçipa nga pronarët
Foto: Laura Hasani

AUV: Qenve t’u vendosen mikroçipa nga pronarët

Aktuale February 19, 2026 - 10:41

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka bërë thirrje për të gjithë pronarët e kafshëve shtëpiake, veçanërisht të qenve, që të përmbushin detyrimin ligjor për identifikimin e tyre me mikroçip dhe regjistrimin në modulin për kafshët shtëpiake në Sistemin Informativ të Agjencisë. Pas regjistrimit pronarët marrin edhe pasaportën për kafshën e tyre.

AUV-i sqaron se aplikimi i mikroçipit bëhet një herë dhe kafsha e mban atë gjatë gjithë jetës. “Mikroçipimi është baza për përcaktimin e pronësisë së kafshës, për sigurimin e kujdesit të shëndetit të kafshëve në kohë dhe me cilësi, si dhe për një siguri më të madhe për pronarët, duke parandaluar transmetimin e sëmundjeve ngjitëse nga kafshët tek njerëzit”, thonë nga AUV-i.

Pronarët që tashmë kanë mikroçipuar kafshët e tyre, duhet të njoftojnë çdo ndryshim të të dhënave të kafshës ose të pronarit te shoqata veterinare kompetente, e cila përditëson bazën elektronike të të dhënave. Gjithashtu, në bazën e të dhënave duhet të regjistrohen edhe rastet e vdekjes, humbjes ose shitjes së kafshëve.

“Mikroçipimi i kafshëve shtëpiake ka për qëllim identifikimin e përhershëm të kafshëve, parandalimin e braktisjes së tyre, kontrollin e shumimit dhe lehtësimin e gjetjes në rast të humbjes ose vjedhjes”, theksojnë nga AUV-i.