Hoxhaj nga Haga: GjND-ja e ka legjitimuar pavarësinë e Kosovës, Specialja po tenton ta kriminalizojë
Foto: Laura Hasani

Hoxhaj nga Haga: GjND-ja e ka legjitimuar pavarësinë e Kosovës, Specialja po tenton ta kriminalizojë

Aktuale February 18, 2026 - 21:47

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Thaci dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, Enver Hoxhaj, është lidhur drejtpërdrejt nga Haga, ku flet për fjalët përfundimtare të ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor që u zhvillua dhe përfundoi sot në Dhomat e Specializuara, në Hagë.

Hoxhaj vlerësoi se qëndrimet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përbëjnë “dëshmitë më të mira” për t’iu kundërpërgjigjur, siç tha ai, akuzave shpifëse të Prokurorisë që synojnë kriminalizimin e luftës çlirimtare dhe të vetë pavarësisë së Kosovës.

“Fjala përfundimtare e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ishin dëshmitë më të mira për t’iu kundërpërgjigjur akuzës shpifëse të Prokurorisë, e cila synon ta kriminalizojë edhe pavarësinë e Kosovës. Nuk e kemi menduar ndonjëherë që do ta kemi një situatë të tillë 18 vjet pas luftës.” theksoi Hoxhaj, në emisionin “Rubikon”, 

Duke qenë njëri nga ata që ka negociuar për pavarësinë e Kosovës në Vjenë, nga viti 2007 deri në vitin 2008, në procesin e shpalljes së pavarësisë, Hoxhaj tha se është një devijim që nga fillimi. 

"Është një devijim që nga fillimi. Në atë kohë kam qenë ministër i Jashtëm, në kohën kur është publikuar raporti i Dick Marty. Ne kemi pasur ide atëkohë se raporti i tij është vetëm pjesë e luftës hibride të Rusisë dhe Kinës. Ka qenë një betejë që ka rënë në kurth edhe Perëndimi, ka qenë betejë e luftës hibride. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar pavarësinë, por këtu, në Hagë, këto pretendime të Dhomat e Specializuara të Kosovës po tentojnë ta kriminalizojnë atë.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj u shpreh se është e papranueshme që 18 vjet pas luftës Kosova të përballet me një situatë të tillë, duke e cilësuar procesin si pjesë të një narrative më të gjerë kundër shtetësisë së Kosovës.