Rashiq: Problemi i serbëve, pasojë e përfaqësimit të papërshtatshëm politik
Në çfarë pozite ndodhet sot komuniteti serb, cilat janë të drejtat e serbëve dhe me çfarë sfidash përballen, si dhe për çështje të tjera aktuale ka folur ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Problemet me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë janë kryesisht pasojë e përfaqësimit të papërshtatshëm politik, vlerësoi ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
“Ne kemi njerëz që kanë pasur punësim të përhershëm dhe të ardhura të mira, e pikërisht ata të parët kanë vendosur tabelën me mbishkrimin ‘Shtëpia në shitje’. Kjo, për fat të keq, është pjesë e një koncepti të përgjithshëm të rrënimit të brendshëm të popullit serb, para së gjithash për shkak të përfaqësimit të papërshtatshëm politik, dhe kjo na mundon vazhdimisht”, vlerësoi Rashiqi.
Duke komentuar çështjen aktuale të integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës, Rashiq theksoi në RTK2 se për këtë po diskutohet në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Kur ato marrëveshje vetëm nënshkruhen, siç ka qenë rasti deri më tani, ata atje i urojnë njëri-tjetrit dhe thonë: ‘Fituam 50:0, gëzohuni, vëllezër serbë në Kosovë’, duke përdorur një terminologji të tillë. Duhet të them se kjo është madje një mënyrë cinike e keqpërdorimit dhe manipulimit të qytetarëve. Ndërsa kur ju vendosin dokumentin në tavolinë dhe thonë se pason zbatimi, e shihni se në atë që ofrohet ka shumë gjëra të këqija që do të reflektohen negativisht te serbët, atëherë ne merremi me pasojat”, tha Rashiq.
Rashiq konsideron se shumica e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë e kanë humbur shpresën se gjërat mund të ndryshojnë thelbësisht për mirë dhe porosit se do të përpiqet t’i ndryshojë këto qëndrime.
“Agonia jonë fillon në vitin 2013 me Brussels Agreement dhe, sado që kjo të tingëllojë, madje edhe tragjikomike, që nga ai moment serbët humbin çdo ndjenjë vendimmarrjeje brenda atij procesi”, deklaroi Rashiq.
Duke folur për kthimin e serbëve, Rashiq theksoi se ka të interesuar, por se ata janë kryesisht persona të moshuar.
Ai porositi se ministria që drejton do të përpiqet në periudhën e ardhshme të përmirësojë programet e destinuara për të kthyerit.