Kurti: "Shtëpia e Verdhë" nuk ka ekzistuar kurrë, është narrativë hibride serbe kundër UÇK-së
Në konferencën ndërkombëtare “Nga lufta në rimëkëmbje”, të mbajtur në Ditën e Pavarësisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së, duke e cilësuar atë si pjesë të një fushate të qëllimshme kundër Kosovës dhe Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kurti u shpreh prerazi se :“E ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narratives hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë.”
Ai theksoi se kjo narrativë, sipas tij, është iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“‘Shtëpi të Verdhë’ nuk ka,” deklaroi Kurti, duke shtuar se në vend të kësaj, ekzistojnë gjithnjë e më shumë informacione dhe dëshmi për krime të tjera të kryera gjatë luftërave në rajon.
Në të njëjtën fjalë, ai foli edhe për procesin që po zhvillohet në Hagë në kuadër të Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke theksuar se pavarësisht proceseve gjyqësore në zhvillim, ato nuk e ndryshojnë karakterin e luftës së UÇK-së.
“Ai nuk mund dhe nuk do ta ndryshojë një të vërtetë themelore historike: se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe për mbijetesë”, tha Kurti.
Kurti shtoi se kjo luftë ishte “përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë deri në gjenocid”.
Kryeministri përmendi rastin e ashtuquajtur “Sarajevo Safari”, për të cilin tha se ka pretendime për përfshirje të figurave të larta politike serbe.
“Ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur ‘Sarajevo Safari’ ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ç’rast për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjak civilë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90", tha Kurti. /telegrafi/