18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës - krerët e shtetit theksojnë forcën, unitetin dhe sakrificën për liri

18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës - krerët e shtetit theksojnë forcën, unitetin dhe sakrificën për liri

Aktuale February 17, 2026 - 20:03

Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kanë mbajtur një pritje shtetërore ku u përmend rëndësia e unitetit, sakrificës dhe historisë së popullit shqiptar.

Në pritje morën pjesë përfaqësues të partive politike dhe institucioneve të vendit.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e këtij përvjetori si simbol të pjekurisë dhe besimit në të ardhmen.

“Sot Republika jonë mbush 18 vjet, një moshë që simbolizon pjekurinë, përgjegjësinë dhe besimin në të ardhmen që po e ndërtojmë së bashku. Krah për krah me aleatët tanë dhe me besim të plotë në forcat tona, do të vazhdojmë të ndërtojmë një Republikë edhe më të fortë, edhe më të drejtë, edhe më të begatë për secilin qytetar tonin. Le ta mbajmë gjithmonë lart flamurin e Republikës sonë dhe le t’i tregojmë botës se Kosova është një histori që vazhdon të frymëzojë, një vend i njerëzve të lirë, i qëndresës dhe i dashurisë së përjetshme për liri”, tha Osmani.

Ndërsa Kryeministri Kurti theksoi forcën dhe stabilitetin që ka arritur vendi gjatë 18 viteve.

“Ditëlindja e 18-të e Pavarësisë e gjen Republikën në gjendjen më të fortë se kurrë dhe gati për udhëtimin që e pret, me më shumë përgjegjësi, por edhe me më shumë vetëbesim. Pavarësia, edhe pse 18-vjeçare, është një nga ato raste të rralla kur rinia shoqërohet me urtësi… Edhe pse të kërcënuar vazhdimisht, Kosova mbijetoi me një zemër të madhe dhe të hapur, duke ruajtur bujarinë shpirtërore dhe gatishmërinë për të ecur përpara; duke kërkuar llogaridhënie, por asnjëherë hakmarrje; duke vendosur të jetojmë në unitet, me bashkëjetesë ndërfetare dhe shumetnike”, u shpreh Kurti.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, përkujtoi rrugëtimin historik të popullit shqiptar dhe sakrificat që çuan në liri dhe shtetësi.

“Sot shënojmë përvjetorin e pavarësisë sonë, një akt historik që u kurorëzua nga përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri, barazi dhe vetëvendosje. Pavarësia e Kosovës është rezultat i një rruge të gjatë e të vështirë, të sakrificës, të organizimit, mobilizimit dhe, më e rëndësishmja, të vullnetit tonë si popull… Por kur dhuna u intensifikua dhe e drejta për jetë u kërcënua, lindi rezistenca e armatosur si domosdoshmëri historike. Lufta Çlirimtare e Kosovës u bë simbol i sakrificës sublime për liri. Ky themel sot po vihet në sprovë. Procesi që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Gjykatën Speciale ka prekur ndërgjegjen tonë kolektive dhe vetë themelet mbi të cilat qëndron liria jonë”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi tutje se në këtë moment kemi përgjegjësi të qëndrojmë të bashkuar si popull, si institucione dhe si shtet, në mbrojtje të së vërtetës sonë historike dhe dinjitetit të luftës sonë çlirimtare.

“Sepse lufta jonë nuk ishte projekt i një partie apo i një rajoni; ajo ishte vullnet i një populli për të jetuar i lirë – përgjigje ndaj padrejtësisë, mohimit dhe dhunës. Pavarësia e Kosovës është realitet dhe ky realitet qëndron përtej çdo sprove. Sot, në këtë ditë feste, përkulemi me nderim të thellë para dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për çlirimin e vendit”, tha Haxhiu.