Hapet konferenca shkencore për traumën e luftës në Kosovë, Kurti: Dokumentimi i së vërtetës forcon shtetin
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka hapur konferencën e dytë shkencore, me titull “From War to Recovery: A Multidisciplinary Approach to Kosovo’s War Trauma”. Në konferencë u theksua nevoja për dokumentim të qëndrueshëm shkencor të krimeve të luftës, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Kurti tha se përballja me të kaluarën dhe dokumentimi i së vërtetës janë themel për drejtësi dhe për forcimin e shtetit.
Ai përmendi gjithashtu narrativat e krijuara nga Serbia me qëllim të dëmtimit të luftës së UÇK-së.
“Na ka gjetur në një ditë të shënuar për shtetin tonë, në përmbyllje të punimeve të Konferencës Ndërkombëtare ‘Të Drejtat e Njeriut në kohë krizash’. Nuk ka simbolikë më të fuqishme sesa ta lidhim Ditën e Pavarësisë me pozicionimin tonë për të drejtën sot dhe të ardhmen nesër, si dhe me një fjalë kyçe: rrugën e demokratizimit.
Përtej një aktiviteti akademik, kjo konferencë është pjesë e procesit të gjerë shtetëror dhe shoqëror për përballje me të kaluarën, për dokumentim të së vërtetës dhe drejtësi. Sepse pavarësia jonë, krahas se është një akt politik demokratik, është edhe obligim moral kujtese ndaj të dashurve që na i vranë dhe përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë.
Në këtë kontekst nuk mund të mos përmend edhe seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë, në kuadër të Dhomave të Specializuara, në një proces gjyqësor që është ende në zhvillim e sipër dhe që do të ndjekë rrugën e vet ligjore deri në përfundim. Por, pavarësisht kësaj, ai nuk mund dhe nuk do ta ndryshojë një të vërtetë themelore historike: se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe për mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet.
Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë deri në gjenocid. Ky proces nuk mund ta vë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialist të luftës sonë, as aspiratën legjitime të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor.
E ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarët e UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. E iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosaçev më 15 prill 2008, pra vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Shtëpi të verdhë nuk ka. Por ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur ‘Sarajevo Safari’, ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me ç’rast, për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës, mund të qëlloheshin civilë boshnjakë me snajper në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e ‘Sarajevo Safari’ do të duhej të angazhohej një gjykatë speciale ndërkombëtare.
Të dashur familjarë, të cilëve gjatë luftës ju janë vrarë më të dashurit tuaj,
Shteti ynë ju dëgjon, ju sheh dhe ua njeh dhimbjen. Vuajtja juaj është pjesë e historisë sonë shtetërore dhe e ndërgjegjes sonë kombëtare. Dokumentimi është akt respekti ndaj jetës së secilit që u vra, u zhduk apo u torturua gjatë luftës.
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij dokumentuese dhe arkivore. Janë standardizuar procedurat e verifikimit, janë ndërtuar baza të reja të të dhënave dhe është avancuar puna për regjistrimin e viktimave dhe dëmeve të luftës. Këta hapa mund të tingëllojnë teknikë, por janë thelbësorë për drejtësinë tranzicionale, sepse një shtet që përballet me të kaluarën ecën më i fortë drejt së ardhmes”, tha Kurti.
Drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tha se arkivi i IKKL-së është shndërruar në pikë referimi gjithnjë e më të rëndësishme për studiues vendorë e ndërkombëtarë.
“Kam nderin që, në emër të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, t’ju uroj mirëseardhje në Konferencën e dytë Ndërkombëtare Shkencore të IKKL-së, e cila hapet në këtë datë me peshë të veçantë historike dhe simbolike për shtetin tonë, më 17 Shkurt, Ditën e Pavarësisë së Republikës.
Pavarësia e Kosovës është fryt i një rrugëtimi të gjatë, të shënuar nga padrejtësi dhe vuajtje, por edhe rezultat i qëndresës dhe sakrificës së popullit të Kosovës, si dhe i mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. Prandaj, kujtesa dhe reflektimi shkencor mbi të kaluarën mbetet element thelbësor i vetëkuptimit të shtetësisë dhe përgjegjësisë sonë ndaj brezave të ardhshëm.
Konferenca e parë ndërkombëtare e Institutit vendosi një bazë të fortë për dialog shkencor mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, për shkëmbim idesh dhe përballje me fakte. Ajo kulmoi me një rezultat të rëndësishëm akademik: vëllimin e redaktuar me punime shkencore, i cili është pranuar për botim nga shtëpia prestigjioze botuese Routledge, në kuadër të serisë ‘Southeast European Studies’.
Duke u mbështetur në këtë arritje, edicioni i sivjetmë, i titulluar ‘From War to Recovery: A Multidisciplinary Approach to Kosovo’s War Trauma’, shënon një fazë të re të konsolidimit institucional dhe pjekurisë akademike të Institutit. Diskutimet që do të zhvillohen gjatë këtyre tri ditëve synojnë të ofrojnë analiza të thelluara, qasje ndërdisiplinore dhe reflektime kritike mbi pasojat afatgjata të luftës, jo vetëm si përvojë historike, por edhe si realitet që vazhdon të ndikojë jetën e individit, strukturën shtetërore dhe proceset e shtetndërtimit.
Puna e Institutit nuk kufizohet vetëm në mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve arkivore. Misioni ynë është të ndërtojmë baza njohurish të verifikuara, të besueshme dhe të përdorshme, që shërbejnë si themel për hulumtime akademike, për hartimin e politikave publike, për edukimin e brezave të rinj dhe për forcimin e kujtesës institucionale të Republikës së Kosovës.
Sot, arkivi i IKKL-së është shndërruar në pikë referimi gjithnjë e më të rëndësishme për studiues vendorë e ndërkombëtarë, si dhe për institucionet e drejtësisë. Edhe kjo konferencë është dëshmi e këtij rrugëtimi dhe e besimit që po ndërtohet rreth punës sonë dhe zhvillimit të saj të vazhdueshëm”, tha ai.