Osmani: UÇK-ja, ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në seancën solemne me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka thënë se pavarësia u fitua me mund e gjak dhe u ndërtua nga ata që u persekutuan u luftuan, por që kurrë nuk u nënshtruan.

“18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrificë dhe me durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dëbuan, u luftuan, por asnjëherë nuk u nënshtruan”, tha Osmani.

Osmani ka përmendur edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ajo ishte e drejtë dhe se çdo përpjekje për ta njollosur atë, dëmton themelet e paqes afatgjate.

Ka deklaruar se lufta çlirimtare ishte betim i përgjakur i një populli që donte të jetonte i lirë në vendin e vet.
“Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u luftuan, u burgosen por asnjëherë nuk u nënshtruan. Në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Ibrahim Rugova, arkitektit të pavarësisë sonë. Me vizion ai udhëhoqi popullin. Historia u brumos në periudhën e luftës për liri. Ajo mban emrin e komandantit Adem Jashari. UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë dhe gjithnjë e pastër. Çdo përpjekje për ta njollosur atë është e padrejtë, historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë u ngritën për liri e dinjitet”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se lufta e UÇK-së ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës dhe nuk mund të zhbëhet nga asnjë përpjekje për deformim të historisë.
Ajo ka thënë se sot është obligim që të jenë të bashkuar.
“Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetë dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet”, ka thënë ajo. /EO
