Kurti uron Ditën Kombëtare të Komunitetit Ashkali
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i uron komunitetit Ashkali Ditën Kombëtare të Komunitetit Ashkali.
Ai tha se Republika e Kosovës është shtet i cili njeh, respekton dhe ndërton së bashku me të gjithë qytetarët e saj të ardhmen që se lë asnjërin mbrapa, ndërsa afirmoi zotimin tonë për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse.
“Shteti nuk matet nga ajo që premton, por nga ajo që u mundëson qytetarëve të tij. Kjo është mënyra mbi të cilën ne po e ndërtojmë e zhvillojmë Kosovën një vend ku secili ka mundësi reale për dinjitet dhe përparim. Komuniteti ashkali është pjesë e pandashme e këtij vizioni. Historia, kultura dhe kontributi i tij janë pjesë e identitetit të Kosovës si një shoqëri multietnike, demokratike drejt integrimeve evropiane”, tha kryeministri Kurti.

Shtoi se në pesë vitet e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar me vepra se komunitetet joshumicë kanë pasur hapësirë reale, mbështetje konkrete dhe zë institucional, duke hapur dyer që për dekada kanë qenë të mbyllura e duke krijuar mekanizma që kanë prodhuar rezultate të prekshme.
Në shënim të kësaj dite për komunitetin ashkali, kryeministri Kurti ka përmendur hapat që janë marrë për fuqizimin ekonomik të qytetarëve, programin Superpuna, përkrahjen për nënat lehona, shtesat për fëmijë, mbështetjen për fëmijët dhe të rinjtë nga komuniteti ashkali përmes bursave, qendrave mësimore, teksteve shkollore dhe programeve të mbështetjes arsimore.

“U bëj thirrje prindërve që t’i mbajnë fëmijët në shkollë. U bëj thirrje të rinjve që të aplikojnë në programet e punësimit dhe trajnimit. U bëj thirrje grave që të shfrytëzojnë programet e fuqizimit ekonomik. Qeveria jonë do të krijojë shanse të reja e të vazhdueshme, por ato duhet që t’i përdorim së bashku. Në njërën anë qeveria ofron mundësi, në anën tjetër përdorni sa më shumë ato, sa më mirë ato, që të gjithë ju, pra secila e secili prej jush.” tha kryeministri Kurti.
Përmbylli fjalën duke thënë se te Qeveria e Republikës së Kosovës, te institucionet e shtetit në nivel qendror, por edhe te institucionet e shtetit në nivelin lokal, por edhe te të gjithë ata të tjerët, ku jetojnë, banojnë, punojnë komuniteti ashkali, mund të llogarisni në mbështetjen dhe përkrahjen tonë të vazhdueshme për të drejtat, kërkesat dhe nevojat tuaja.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurtit:
I nderuari z. Artan Asllani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Fikrim Damka, zëvendëskryeministër për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim,
I nderuari z. Rasim Demiri, ministër për Zhvillim Rajonal,
I nderuari z. Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Bahrim Shabani dhe Veton Berisha,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, zyrtarë dhe aktivistë,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit ashkali,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Jam i vetëdijshëm se Dita e Komunitetit Ashkali shënohet më 15 shkurt. Por nga dëshira e madhe që këtë ditë t’ua uroj personalisht, nga afër dhe bashkë me ju, në koordinim me Këshillin Organizativ, kemi vendosur që këtë shënim ta bëjmë sot. Dje isha në Mynih të Gjermanisë, në Konferencën e Sigurisë atje, ndërkaq sot jam këtu bashkë me juve, sepse kjo ditë dhe ky komunitet e meritojnë vëmendjen dhe respektin tim të drejtpërdrejtë.
Sot, në këtë ditë të shënuar, jemi mbledhur për këtë datë simbolike. Jemi mbledhur për të dëshmuar se Republika e Kosovës është shtet i cili njeh, respekton dhe ndërton së bashku me të gjithë qytetarët e saj të ardhmen që se lë asnjërin mbrapa. Jemi mbledhur për komunitetin ashkali e për të reflektuar mbi rrugën e përbashkët që kemi kaluar, dhe për të riafirmuar zotimin tonë për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë dhe më gjithëpërfshirëse.
Shteti nuk matet nga ajo që premton, por nga ajo që u mundëson qytetarëve të tij. Kjo është mënyra mbi të cilën ne po e ndërtojmë e zhvillojmë Kosovën një vend ku secili ka mundësi reale për dinjitet dhe përparim. Komuniteti ashkali është pjesë e pandashme e këtij vizioni. Historia, kultura dhe kontributi i tij janë pjesë e identitetit të Kosovës si një shoqëri multietnike, demokratike drejt integrimeve evropiane.
Në pesë vitet e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar me vepra se komunitetet joshumicë kanë pasur hapësirë reale, mbështetje konkrete dhe zë institucional. Kemi hapur dyer që për dekada kanë qenë të mbyllura dhe kemi krijuar mekanizma që kanë prodhuar rezultate të prekshme. Qeveria e Republikës së Kosovës, në mandatin e saj të tretë, e ka vendosur barazinë sociale dhe përfshirjen e komuniteteve në qendër të politikave shtetërore. Kjo përkthehet drejtpërdrejt në buxhet, ligje dhe programe konkrete.
Përmes planifikimeve buxhetore dhe reformave sociale, kemi ndërmarrë hapa të guximshëm për fuqizimin ekonomik të qytetarëve. Programi Superpuna, tashmë i avancuar, po hap mundësi për punësim për të rinjtë, e veçanërisht për gratë. Në kuadër të këtij programi, gratë e punësuara do të mbështeten me 500 euro në muaj për gjashtë muaj, duke u dhënë atyre siguri, pavarësi dhe dinjitet ekonomik.
Nga muaji korrik, po e rrisim përkrahjen për nënat lehona, të cilat do të përfitojnë 500 euro mbështetje financiare, si një investim i drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe në të ardhmen e fëmijëve. Po ashtu, kemi dyfishuar shtesat për fëmijë, sepse fëmijët nuk janë shpenzim, janë investimi më i rëndësishëm i shtetit.
Arsimi mbetet themeli i zhvillimit afatgjatë. Andaj kemi shtuar mbështetjen për fëmijët dhe të rinjtë nga komuniteti ashkali përmes bursave, qendrave mësimore, teksteve shkollore dhe programeve të mbështetjes arsimore. Sepse nuk ka barazi reale pa arsim cilësor dhe të qasshëm për të gjithë.
Krahas kësaj, përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Zyrës për Çështje të Komuniteteve, po vazhdojmë të financojmë projekte për strehim, biznese të vogla, start-up-e, trajnime profesionale dhe nisma kulturore, duke shtuar mundësitë konkrete për zhvillim ekonomik dhe social.
Të nderuar të pranishëm,
Sot dua të jem i sinqertë dhe politik në mesazhin tim. Qeveria mund të krijojë politika, fonde dhe programe, por zhvillimi i vërtetë kërkon vullnet nga vetë komuniteti. Kërkon pjesëmarrje, angazhim dhe besim në dije, punë dhe ligj.
U bëj thirrje prindërve që t’i mbajnë fëmijët në shkollë. U bëj thirrje të rinjve që të aplikojnë në programet e punësimit dhe trajnimit. U bëj thirrje grave që të shfrytëzojnë programet e fuqizimit ekonomik. Qeveria jonë do të krijojë shanse të reja e të vazhdueshme, por ato duhet që t’i përdorim së bashku. Në njërën anë qeveria ofron mundësi, në anën tjetër përdorni sa më shumë ato, sa më mirë ato, që të gjithë ju, pra secila e secili prej jush.
Siç thoshte një filozofe e mirënjohur e shekullit të kaluar Hannah Arendt: “politika është hapësira ku përgjegjësia dhe liria takohen”. Ne po bëjmë pjesën tonë si shtet. Tani është koha që ta ndërtojmë suksesin bashkërisht. Kosova është vend i të gjithëve. Vend i mundësive, jo i përjashtimit. Vend ku diversiteti është forcë dhe jo pengesë.
Shpesh ne dëgjojmë teksa flitet për komunitete, mirëpo qeveria jonë, qeveria juaj është ajo e cila fjalët i ka shndërruar në punë e në vepra, në angazhim e në kontribut. E me këtë rast, unë shpreh mirënjohjen time për çdo qytetar të komunitetit ashkali i cili kontribuon për shoqëri, për mësuesit, për punëtorët, për studentët, aktivistët dhe nënat të cilët e mbajnë gjallë shpresën dhe kanë një rol aq të rëndësishëm për të ardhmen tonë. Le të vazhdojmë këtë rrugë me më shumë besim, më shumë punë dhe më shumë solidaritet. Në prag të shënimit të 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kjo ditë merr kuptim edhe më të veçantë, sepse pavarësia jonë është ndërtuar mbi sakrificën, bashkëjetesën dhe kontributin e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Te Qeveria e Republikës së Kosovës, te institucionet e shtetit në nivel qendror, por edhe te institucionet e shtetit në nivelin lokal, pra te komunat anembanë Republikës, e këtu po e shoh që e keni edhe kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebrezën, por edhe te të gjithë ata të tjerët, ku jetojnë, banojnë, punojnë komuniteti ashkali, mund të llogarisni në mbështetjen dhe përkrahjen tonë të vazhdueshme për të drejtat, kërkesat dhe nevojat tuaja.
Po e festojmë Ditën e komunitetit ashkali si pjesë të pandashme të kësaj pavarësie, të cilën do ta kremtojmë nesër në 18-vjetorin e shpalljes së saj. Ta ndërtojmë së bashku një Kosovë gjithnjë e më të fortë, më të drejtë dhe më inkluzive.
Gëzuar Ditën e komunitetit ashkali!
Gëzuar 17 shkurtin Ditën e Pavarësisë së Kosovës!
Ju faleminderit për ftesën, vëmendjen dhe pjesëmarrjen!.