Prokurori Tieger: Mbrojtja u përpoq ta shmangte rolin e vërtetë të të akuzuarve
Prokurori Alan Tieger ka nisur parashtrimet e Prokurorisë, duke thënë se mbrojtja e të akuzuarve ka bërë përpjekje t’i paraqesë ata si njerëz me qëllime të mira dhe pa pushtet e motive.
Më poshtë mund të lexoni pjesë nga argumentet e Tiegerit:
Në një formë ose tjetër, mbrojtja i ka paraqitur klientët e tyre si njerëz me qëllime të mira të cilët nuk kishin pushtet dhe motive.
Mbrojtja e Veselit e përshkroi klientin e vet si anëtar të përkushtuar të UÇK-së në një kohë shumë të nevojshme, si një i diplomuar i ri pa ndonjë përgatitje ushtarake, i cili iu bashkuar mijëra të tjerëve nga prejardhje të ndryshme me bindjen për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe për të ardhmen pa brutalitet dhe autoritarizëm për ta dhe fëmijët e tyre. Kjo, i nderuar gjykatës, në vetvete nuk është krim.
Natyrisht se nuk është krim t’i bashkohesh një lufte për liri dhe Prokuroria kurrë nuk e ka thënë kurrë këtë.
Por, t’i paraqesësh të akuzuarit si disa prej mijëra të tjerëve që iu bashkuan UÇK-së për të luftuar për liri, është përpjekje për t’iu shmangur roleve të tyre të vërteta, si themelues dhe anëtarë kyç të Shtabit të Përgjithshëm.
Ata nuk i pranojnë këto role, sepse veprimet e tyre në këto role, duke përdorur autoritetin e tyre të kombinuar dhe përpjekjet e tyre individuale, pasqyrojnë qëllimin e përbashkët kriminal dhe angazhimin e tyre ndaj tij.
Ata pretendonin se kishin të drejtë t’i trajtonin në mënyrë të pamëshirshme të gjithë ata që e pengonin arritjen e qëllimit të tyre. Krimet që pasuan si rezultat i tyre pasqyrohen në prova të shumta, të cilat nuk mund të shpërfillen apo mohohen. Kjo dëshmohet nga fati se ata bënë shumë përpjekje që këto prova të shikohen në mënyrë sa më të izoluar. Provat përfshijnë vite të asaj që ata kishin deklaruar se kishin bërë, po bënin dhe do të bënin.
Duke pranuar se sa inkriminuese ishin deklaratat UÇK-së, ekipet e mbrojtjes bënë shumë përpjekje për t’i distancuar klientët e tyre nga përfshirja në këto deklarata. /rel