Rama zbulon “sekretin shtetëror”: Osmani u kërcënua për dy vjet pasi refuzoi bastisjen e Zyrës së Presidencës nga Gjykata Speciale
Kryeministri Edi Rama gjatë promovimit të librit “Kur heshtja flet” nga prof. dr. Ahmet Shala, akademik e ish-ambasador i Kosovës, deklaroi se Vjosa Osmani është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin Zyrën e Institucionit të Presidentit të Kosovës.
Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, “prokurorët donin të dhunon zyrën e Presidentit se demek do të gjenin prova për krime kundër njerëzimit”.
Ndër të tjera, Rama tha se presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) është marrë peng.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë së Tribunalit në Hagë, këtyre të dënuarve do t’u shtohen edhe katër të tjerë në anën tjetër të barrikadës, ndërkohë që prokuroria nuk pati kapacitetin të provojë asgjë të ngjashme, pasi nuk ka në aktivitetin e katër udhëheqësve të UÇK-së. Nuk ka asnjë lidhje aktiviteti i tyre dhe UÇK-së me terrorin, pastrimin etnik, varre me njerëz të pafajshëm, shënjestrimin e fëmijëve dhe grave, apo me përdhunime, vrasje, mbytje njerëzish në lumë. Ata katër burra nuk u armatosën për të ndërtuar një politikë shfarosjeje, por kundër një politike shfarosjeje. Nuk u armatosën për të imponuar sundimin e tyre në një territor të huaj, por për të hequr qafe sundimin e të huajve në tokën e tyre. Faktikisht, ata vetë, me dorën e tyre, e votuan në Parlamentin e Kosovës një gjykatë që në letër është një gjykatë e Kosovës, jo për të vendosur në bankën e të akuzuarve Kosovën. Faktikisht, sot jemi në kushte kur ka marrë formë thuajse përfundimtare, pasi fjalën e fundit e ka gjykata, një plan shumë afatgjatë, i cili ka nisur me raportin famëkeq të Dick Martyt për trafikim të organeve nga udhëheqja e UÇK-së. Ai plan është shtyrë përpara nga përfaqësuesit e Putinit në Këshillin e Evropës dhe është ngritur mbi një rezolutë, që për turpin e vet, Këshilli i Evropës nuk gjen kurajën ta rishikojë. Ai plan ka vazhduar dhe ka marrë jetë ditën që presidenti i Kosovës ishte nisur në SHBA. Qysh nga ai moment, presidenti i Kosovës është marrë peng. Edhe presidentja e Kosovës është kërcënuar; ju nuk e dini, pasi nuk është thënë asnjëherë. Presidentja e Kosovës është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit të Kosovës se me demek do kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit. Kërcënimi i Presidentes ka zgjatur dy vjet, por për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, u shpreh Rama. /tch