Alagendra: Krasniqi nuk është i njëjtë si Millosheviqi

Alagendra: Krasniqi nuk është i njëjtë si Millosheviqi

Aktuale February 16, 2026 - 12:35

Venkateswari Alagendra, e cila është avokate kryesore e Jakup Krasniqit, ka thënë se klienti i saj nuk është i njëjtë si Sllobodan Millosheviqi.

“Jakup Krasniqi është njeri krejt ndryshe. Nuk është i njëjtë si Millosheviqi”, tha Alagendra.

Ajo tha se Krasniqi ishte mësues i respektuar, aktiv në LDK - në kryesinë e saj në Drenas.

Përveç kësaj, avokatja shtoi se për aktivizmin e tij, Krasniqi ka paguar shtrenjtë, duke përmendur kohën e kaluar në burg si i burgosur politik gjatë regjimit të Millosheviqit

“Për aktivizimin e tij, Jakup Krasniqi ka paguar shtrenjtë. Ai ka kaluar dhjetë vjet si i burgosur politik ku ka pësuar tortura, keqtrajtim të rëndë në kushte të tmerrshme në burgjet e autoriteteve jugosllave”, tha ajo.

Avokatja shtoi se Krasniqi ishte kundërshtar i regjimit serb dhe politikave të aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës.

“Ai është kundërshtar i gjatë i regjimit serb dhe është krenar për këtë. Jo për urrejtjen ndaj serbëve, por kundërshtonte politikat e aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës të imponuar nga regjimi serb i Millosheviqit”, tha ajo.

Ajo tha se edhe ndërkombëtarët që kanë qenë dëshmitarë kanë treguar se Krasniqi ka qenë njeri i moderuar.

Përveç kësaj, ajo shtoi se asnjë prej viktimave nuk ka dëshmuar se Krasniqi perceptohej si i përfshirë në krime apo në ndonjë plan kriminal. /BD