Në 18-vjetorin e Pavarësisë, monumenti “Newborn” ngjyroset me motive të artit japonez
Monumenti “Newborn” simbolizon pavarësinë e Kosovës dhe e veçanta e këtij monumenti është ngjyrosja me mesazhe të ndryshme në çdo përvjetor të pavarësisë.
Edhe këtë vit, ka filluar të marrë pamje të re dhe krijuesi i monumentit, Fisnik Ismaili, ka treguar se “Newborn” do të ngjyroset me motive të artit tradicional japonez “Kintsugi”.
“Newborn 18. Kintsugi - arti japonez i ngjitjes me ar të gjërave të thyera, që i bën edhe më të forta, edhe më me vlerë...”, shkroi Ismaili në një postim në Facebook.
Kujtojmë se “Kintsugi” është art tradicional japonez që përdoret për t’i riparuar enët e qeramikës të thyera duke i bashkuar copat me llak të përzier me ar, argjend ose pluhur platini. Në vend që plasaritjet të fshihen, ato theksohen me ar, duke e bërë objektin edhe më të bukur dhe më të vlefshëm se më parë. /Zëri