Rama: Do të jem në SHBA për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se do të jetë në Uashington më 19 shkurt për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes – nismës së kryesuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, që synon zgjidhjen e konflikteve në botë.
Ai në podkasin e tij, Flasim, tha se ftesën e ka pranuar nga presidenti Trump.
“Do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”, tha Rama.
Rama kishte pranuar ftesë edhe për takimin e 22 janarit në Davos të Zvicrës kur u mbajt ceremonia themeluese e bordit, por kreu i Qeverisë shqiptare nuk mori pjesë.
Kosova, e përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani, ishte në mesin e shteteve themeluese të Bordit.Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Presidencës së Kosovës me pyetjen nëse Osmani do të marrë pjesë në këtë takim të paralajmëruar më 19 shkurt dhe është ende në pritje të përgjigjes.
Ky trup i ri ndërkombëtar fillimisht ishte përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës me Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe fuqitë e tjera – siç ishte miratuar nëntorin e vitit të kaluar përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por presidenti Trump ka thënë se ai do të punojë që të sigurojë paqe në mbarë botën.
Bordi do të udhëhiqet nga Trumpi, ndërkaq ai do të ketë edhe Bordin Ekzekutiv ku janë emëruar si anëtarë: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, miliarderi Mark Rowan, biznesmeni amerikan Ajay Banga dhe këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert Gabriel. Ndërkaq, Nickolay Mladenov, politikan bullgar do të jetë përfaqësues i Bordit të Paqes në Gazë.
Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa në më shumë se 50 vende për t’iu bashkuar kësaj nisme. Anëtarët janë ftuar që të kenë një mandat prej tre vjetësh. Pas përfundimit të këtij mandati, ata do të vendosin nëse duan të jenë anëtarë të përhershëm dhe për një status të tillë duhet të paguajnë 1 miliard dollarë.
Nga Presidenca e Kosovës kanë konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se shtetit nuk i është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh.
Ditë më parë, agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar amerikanë raportoi se më 19 shkurt në Uashington do të marrin pjesë delegacione nga të paktën 20 shtete, përfshirë edhe krerësh shtetesh.
Sipas Reuters, në këtë takim Trump do të njoftojë për një plan multimiliardësh për rindërtimin e Gazës dhe do të shpalosë detaje për Forcën Stabilizuese për Gazën.
Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Megjithatë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha më herët gjatë shkurtit për REL-in se ende janë në proces të shqyrtimit të formës dhe kapacitetit me të cilin do të kontribuojnë në këtë forcë paqeruajtëse për Gazën.Kjo forcë shumëkombëshe buron nga plani 20-pikësh për paqe në Gazë i Trumpit, që është pranuar tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi.
Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.
Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.
Hollësi për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, që ka mandat të Kombeve të Bashkuara, nuk janë bërë ende publike, por ajo besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se komandat i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese është emëruar gjeneralmajori i ushtrisë, Jasper Jeffer, komandant amerikan i operacioneve speciale./Radio Evropa e Lire