Rama: Kërkesa për 180 vjet burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së, turp ndërkombëtar

Rama: Kërkesa për 180 vjet burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së, turp ndërkombëtar

Aktuale February 15, 2026 - 11:39

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideroi sot kërkesën Prokurorisë së Hagës për dënimin me 45 vite burg të ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një turp për shtetet që e mbështesin atë gjykatë.

Në nisje të podkastit “Flasim”, kryeministri Rama komentoi vendimin e Prokurorisë së Hagës, që kërkoi 45 vite burg për Hashim Thaçin dhe për secilin prej tre udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. “Mu desh dhe më duhet sinqerisht, më duhet kohë të kuptoj se si mund të përballet një gjë e tillë, një çmenduri e tillë, një paturpësi e tillë, një mizori e tillë, me fjalë”, tha Rama.

Sipas Ramës, “kërkesa për 45 vite burg për të katër figurat domethënëse të Luftës Çlirimtare, ishte një bombë e hedhur mbi popullin dhe mbi Republikën e Kosovës”.

“Një prokurori krejt e padenjë, e cila për të marrë në shqyrtim historinë e përgjakshme të Luftës Çlirimtare të Kosovës bëri gjashtë vite hetim dhe doli me pretendimin se gjatë viteve ‘98-99, qenkan kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftës ndaj civilëve”, shtoi Rama.

Por, sipas tij, “nuk ka asnjë ligj ndërkombëtar, që lejon dënime mbi pretendime të tilla dhe pa asnjë provë të qartë se ekziston një plan dhe një forcë e organizuar për të sulmuar dhe për t’u marrë jetën civilëve si të tillë, pse janë civilë”. “Po ashtu, nuk ka asnjë lloj ligjësie dhe asnjë ligj ndërkombëtar që i hap rrugën dënimit të një udhëheqësi në një luftë çlirimtare, vetëm se ka qenë udhëheqës. Ama, pa provuar se ka dhënë urdhëra për të sulmuar civilët, se ka pasur kontroll real mbi të gjitha formacionet luftarake në territor të një ushtrie çlirimtare në emër, por të një tërësie forcash të bashkuara nga i njëjti ideal dhe qëllim, por jo në të njëjtin organizim në territor apo se ka pasur ndonjë lidhje tjetër drejtpërdrejtë me vepra penale të kësaj ububushmërie”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Prokuroria e Hagës dështoi të sillte, qoftë në një provë të vetme për ta mbështetur këtë kërkesë mizore pas gjashtë a pak a shumë gjashtë vitesh hetime e mbështetur nga një zinxhir shtetesh demokratike, të cilat duhet të ndjehen të turpëruara nga një maskaradë e tillë. “Ky nuk është një turp për ca prokurorë, për atë farë idioti ndërkombëtar që dilte dhe lexonte broçkulla. Ky është një turp për shtetet që e mbështesin atë gjykatë, që e paguajnë atë gjykatë, që mundësojnë rroga marramendëse për personazhe të kësaj injorance. Nuk di çfarë të them”, u shpreh Rama.