Loxha: Pas konstituimit të Kuvendit duhen reforma të thella dhe konsensus për dialogun
Drejtoresha e Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha, ka folur për situatën pas konstituimit të Kuvendit, duke theksuar nevojën për reforma, konsensus politik dhe përmirësim të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Loxha e cilësoi pozitive krijimin e institucioneve pa pengesa dhe theksoi prioritetet e menjëhershme institucionale dhe politike.
“Fillimisht është lajm shumë i mirë që institucionet u krijuan lehtësisht, pra pa pengesa ose pa ngërçe në mes partive politike dhe rrjedhimisht mundemi me provu me e zënë hapin me atë çka kemi mbetur mbrapa përgjatë këtij një viti. Dhe natyrisht e dimë që kanë qenë qenësore të miratohen ose ratifikohen marrëveshjet të cilat parashihen pra të kryhen menjëherë në fillim dhe natyrisht buxheti i Republikës meqë kemi pasur afat vetëm deri në fund të këtij muaji. Konsideroj që Qeveria e Republikës duhet t’i ketë parasysh në shumicën e fushave, të cilat edhe veçse ka filluar procese reformuese të kaluarën, që të njëjtat të vazhdojnë. Sa i përket dialogut me Serbinë, i cili ka me qenë dhe ka me ardhë pra si një kërkesë prej BE-së që të rifillohet dialogu, është shumë e rëndësishme që qeveria, së bashku me gjithë spektrin politik, pra me një konsultim të gjerë, të krijojë një platformë për dialogun e cila do të ishte e pranueshme, pra të kishte konsensus të gjerë politik në vend. Sepse në këtë fazë që jemi, natyrisht do të synohet që të shkohet me një marrëveshje përfundimtare dhe në këtë drejtim ne gjithmonë kemi konsideruar që duhet të ekzistojë një platformë e cila do të ketë pranueshmëri të gjerë politike”, tha ajo.
Sa i përket politikës së jashtme dhe njohjeve ndërkombëtare, ajo theksoi nevojën për angazhim më të madh diplomatik.
“Sa i përket aspekteve tjera që lidhen me politikën e jashtme, është shumë e rëndësishme që Kosova të intensifikojë përpjekjet për të rregulluar raportet dhe për t’u përafruar raportet me vendet mosnjohëse, në mënyrë që në rast të një marrëveshje eventuale përfundimtare me Serbinë, të kemi njohje të menjëhershme nga këto 5 vende, ashtu siç edhe realisht lidhet njohja me këtë proces. Dhe gjithashtu të intensifikohen përpjekjet në rrafshin ndërkombëtar për njohje të reja dhe për konsolidim të plotë të raporteve të Kosovës me miqtë dhe aleatët saj ndërkombëtarë, meqë në të kaluarën, pra në qeverinë Kurti 2, ka pasur shumë shpesh fërkime në mes qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi ajo.
Në fushën e sundimit të ligjit, Loxha kërkoi vazhdim të reformave dhe eliminim të pengesave.
“Sa i përket sundimit të ligjit, është shumë e rëndësishme që disa procese reformuese të cilat kanë filluar, përfshirë Vetingun, Byronë për konfiskimin e aseteve të paligjshme dhe procese tjera që lidhen me sundimin e ligjit, të rishikohet plotësisht qasja dhe kudo që ka pasur ngecje ose ngërçe, të eliminohen dhe një reformë kaq e rëndësishme për Kosovën të mund të ecë përpara. Dhe gjithashtu, të çohen përpara të gjitha detyrimet të cilat kanë dalë nga marrëveshja apo deklarata e përbashkët mes qeverisë dhe institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë”, potencoi Loxha.
Ajo nënvizoi rëndësinë e reformës në administratën publike sipas standardeve ndërkombëtare.
“Sa i përket reformës në administratën publike, po ashtu e kemi një proces reformues në proces – ose që është duke u zhvilluar. Ne konsiderojmë që në këtë mandat qeveria të jetë shumë e kujdesshme dhe reforma të jetë në linjë me parimet e SIGMA-s, apo me parimet dhe praktikat për një administratë shtetërore profesionale dhe transparente dhe llogaridhënëse”, u shpreh ajo.
Loxha kërkoi bashkëpunim real me shoqërinë civile dhe përfshirje substanciale në proceset vendimmarrëse. “Po ashtu është shumë e rëndësishme që në këtë mandat qeveria të ketë bashkëpunim të plotë dhe të mirëfilltë me shoqërinë civile, sepse në qeverinë e kaluar shumë shpesh shoqëria civile nuk është përfshirë në mënyrë proaktive dhe gjithashtu përfshirja nuk ka qenë e plotë, nëse mund të them, por ndonjëherë është bërë veç sa për të thënë që është konsultuar shoqëria civile. Ne shumë shpesh kemi reaguar në shumë projektligje duke theksuar që mund të ketë probleme me kushtetutshmëri, mirëpo të njëjtat janë injoruar, por që Gjykata Kushtetuese shumë shpesh ka provuar që kemi pasur të drejtë. Rrjedhimisht konsideroj që shoqëria civile duhet të jetë partner shumë i rëndësishëm i kësaj qeverie dhe t’i ketë dyert e hapura si në monitorim të politikave, të ligjeve dhe në përgjithësi të komentojë mbi mbarëvajtjen e punës së kësaj qeverie. Sepse konsideroj vetëm në atë mënyrë mund të ruajmë një proces demokratizues në vend”, nënvizoi ajo.
Në aspektin ekonomik, ajo kërkoi politika kundër inflacionit dhe përmirësim të klimës së investimeve.
“Sa i përket ekonomisë, konsideroj që kjo qeveri duhet të mendojë për politika të cilat targetojnë inflacionin, i cili ka shkuar vetëm duke u rritur. Dhe gjithashtu të mendohet se si mund të bëhet më atraktive klima e biznesit në Kosovë, sepse ngërçi politik, kriza politike në vend e ka dëmtu shumë imazhin e Kosovës në sy të investitorëve të huaj dhe nuk është që kemi parë shumë investitorë të huaj viteve të fundit në Kosovë. Përderisa vendet e rajonit kanë shkuar duke u bërë më atraktive dhe më atraktive për investitorë të huaj dhe në këtë drejtim konsideroj që Kosova duhet t’i zërë hapin dhe të forcohet në krijimin e një imazhi dhe një atraktiviteti më të madh karshi investitorëve të huaj”, u shpreh drejtoresha.
Sa i përket buxhetit dhe strukturës së qeverisë, Loxha kërkoi analizë të bazuar në nevoja reale.
“Buxheti natyrisht duhet të rishikohet në mënyrë që të reflektojë numrin e rritur të ministrive. Nuk e di në qoftë se Kryeministri Kurti së bashku me kabinetin e tij ka bërë një analizë paraprake se pse është e nevojshme, sepse ne e kemi parë që kur ka ardhur qeveria Kurti 1, ka ardhur me një inovacion nëse mund të them, që ka qenë shkurtimi i ministrive dhe eliminimi i dikastereve të cilat mund të ishin shumë lehtë të vendosura në një dikaster tjetër, pra të bashkoheshin. Dhe pas kësaj eksperience, pra me qeverinë me një mandat të plotë, unë do të isha shumë kureshtare të di se pse Kurti 3 tashmë vjen me një zgjerim të dikastereve. Dhe mendojmë që e njëjta do të duhej gjithmonë të mbështetej në një analizë dhe në rezultate të cilat do të kishin çuar tek kërkesa për zgjerim të ministrive dhe jo për akomodim të figurave të partisë në pozita të rëndësishme qeveritare”, shtoi ajo.
Më 11.02.2026 është konstituar Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është formuar Qeveria pas më shumë se një vit bllokadë institucionale./EO