Tirana vesh dekorin e dashurisë për Shën Valentin
Tirana u “zgjua” sot me ritmin e dashurisë duke u kthyer në një skenë romantike për gjithë të dashuruarit në këtë 14 Shkurt.
Dekori festiv, ngjyra e kuqe, mesazhet e dashurisë, tullumbacet në formë zemre janë “ftesa” më e veçantë për kryeqytetasit dhe turistët e huaj në këtë ditë simbolike.
Fotoreporteri i ATSH-së, Florian Abazaj sjell momente nga kjo festë në kryeqytet, që bëri bashkë qytetarë, kryesisht çifte të reja por edhe të martuar e me fëmijë.
Në qendër të qytetit, në sheshin Skënderbej, instalacionet simbolike dhe dritat e dekorit janë vendi perfekt për foton e ditës. Çiftet, familjet, turistët dhe qytetarë të të gjitha grupmoshave u përfshinë në këtë atmosferë ndryshe, mes festës së dashurisë dhe mesazheve simbolike.
Dekori festiv i dashurisë, i aplikuar në pikat më të arritshme të Tiranës, nga sheshi Skënderbej, te stadiumi “Air Albania”, liqeni Artificial dhe Kopshti Zoologjik, janë disa prej atraksioneve ku qytetarë të shumtë kanë zgjedhur të bëjnë foto e t’i dhurojnë lule njëri-tjetrit.Shën Valentini në Tiranë nuk është vetëm një festë për çiftet është një ditë që sjell ngjyra, gjallëri dhe një ritëm dashurie për kryeqytetin. Në këtë 14 shkurt, Tirana duket se i përket emocioneve, buzëqeshjeve dhe historive të dashurisë që shkruhen kudo.
14 shkurti është dita që në kalendarin e krishterë i kushtohet Shën Valentinit, martir e shenjtor.
Legjenda thotë se Shën Valentini u bë mbrojtës i të dashuruarve pasi celebroi një martesë mes një legjionari pagan dhe një vajze të krishterë. Thuhet se dëgjoi një çift të rinjsh duke u grindur dhe u dha të shtrëngonin në dorë një trëndafil, por duke u përpjekur të mos shpoheshin nga gjembat. Pas kësaj, të rinjtë i kërkuan që ipeshkv Valentini t’i lidhte në martesë.
Pas kësaj ngjarjeje, çiftet e të dashuruarve filluan të shkonin në Terni, ditën e 14 shkurtit që Shën Valentini të bekonte lidhjen e tyre./atsh