Dhuna në shkollë: Telashi me nxënësin, masa ndaj mësuesit e drejtorit

Dhuna në shkollë: Telashi me nxënësin, masa ndaj mësuesit e drejtorit

Aktuale February 13, 2026 - 23:24

Përveç mësimdhënësit në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, po dyshohet që dhunë ndaj nxënësit ushtroi edhe udhëheqësi i këtij institucionit, Halil Braha.

Pas publikimit të një videoje tjetër, Klan Kosova shkoi te “Pavarësia” për të marrë një qëndrim nga vetë drejtori i shkollës, megjithatë i njëjti përmes telefonit tha se nuk është në shkollë, ndërkaq përgjigje s’pati as zëvendësdrejtoresha e këtij institucioni.

E nga punëtorët e shkollës u tha se është marrë vendim që mediat të mos lejohen të hyjnë brenda.

Por jashtë saj, Klani kuptoi se krejt zanafilla e problemit daton që nga 30 janari. Në po atë ditë, filloristi dyshohet se ia kishte vjedhur sigurimit çelësat e shkollës.

Veprimin e tij e lajmëruan edhe në polici më 5 shkurt.

Të nesërmen, sipas avokatit të drejtorit të “Pavarësisë”, i njëjti e kishte kanosur e fyer Halil Brahën, çka u përfshi edhe në kallëzimin penal.

Për krejt këto akuza ndaj tij, por edhe për dhunën që e pati në institucionin arsimor, nuk deshën të flasin prindërit e të miturit.

E Prokuroria ka zgjeruar hetimet.

Ndërkaq, derisa rasti të marrë epilog, Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet veç ka nisur të marrë masa.

Masa ndëshkuese nuk duhet të ketë edhe ndaj të miturit, sipas një njohësi të arsimit, që po thotë se duhet gjetur shkaku i vërtetë për sjelljen e tij.

Dy ditë më parë, në media u publikua një video derisa shihej qysh mësimdhënësi e rrihte të nxënësin. Ai ishte arrestuar e intervistuar nga organet e rendit.

Për këtë të fundit, kolegët e tij edhe protestuan dy orë për të kërkuar lirimin e tij./klankosova