Munguan në seancën konstituive, Uran Ismaili dhe Afërdita Hajrizi betohen sot si deputetë
Foto: Laura Hasani

Munguan në seancën konstituive, Uran Ismaili dhe Afërdita Hajrizi betohen sot si deputetë

Aktuale February 13, 2026 - 16:05

Deputetët Uran Ismaili dhe Afërdita Hajrizi, të cilët munguan në seancën konstituive të legjislaturës së re, kanë dhënë sot betimin e tyre në Kuvendi i Kosovës.

Teksti i betimit u lexua nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, ndërsa dy deputetët u zotuan për ushtrimin e mandatit në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Kuvendi i Kosovës u konstitua të mërkurën, me ç’rast betimin e dhanë 118 deputetët që ishin të pranishëm në sallë.

Pas konstituimit të Kuvendit, u mbajt edhe seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re. Me 66 vota pro u votua përbërja e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, duke shënuar formimin e ekzekutivit të ri, i njohur si “Kurti 3”.

  • Me 40 minuta vonesë, nis seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme.

Seanca ishte thirrur për në orën 15:00, por duket se tradita e vonesave të seancave do të vazhdojë edhe në këtë legjislaturë, pasi seanca filloi tek në orën 15:40, transmeton Zeri.info.

  • Mblidhen deputetët, pritet të nisë seanca për buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Image

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të hyjnë në sallë për seancën e jashtëzakonshme.

Seanca është thirrur për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe projektbuxhetin e këtij viti, transmeton Zeri.info.

  • Kuvendi njofton për seancën e jashtëzakonshme, ky është rendi i ditës:

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite janë ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe projektbuxheti i shtetit.

Seanca pritet të nisë prej orës 15:00, transmeton Zeri.info.

Rendi i ditës:

1. Plotësimi i Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 10-V-006, datë, 12.02.2026 lidhur me përbërjen e komisioneve parlamentare,

2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“ - Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.