Kryeziu për dorëheqjen e Haradinajt: Shënon tranzicionin e një brezi liderësh që ndërtuan themelet e shtetit
Ismet Kryeziu nga KDI-ja ka thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e drejtuesit të AAK-së është një zhvillim që shënon tranzicionin e një brezi liderësh që ndërtuan themelet e shtetit dhe që sot i hapin rrugë një gjenerate të re.
Kryeziu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, vlerëson se Haradinaj për tri dekada ishte figura kyçe në politikë.
“Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga drejtimi i AAK-së nuk është thjesht një moment individual, por një zhvillim që shënon tranzicionin e një brezi liderësh që ndërtuan themelet e shtetit dhe që sot po i hapin rrugë një gjenerate të re. Për gati tre dekada, Haradinaj ka qenë figurë kyçe në jetën politike, duke mbajtur përgjegjësi në kohë sfiduese dhe vendimtare. Roli i tij që nga periudha e luftës deri te ndërtimi i institucioneve, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës, mbetet pjesë e një historie që nuk mund të shkruhet pa emrin e tij”, ka thënë Kryeziu.