Hoxhaj pas dorëheqjes së Haradinajt: Guximtar në luftë dhe në paqe

Hoxhaj pas dorëheqjes së Haradinajt: Guximtar në luftë dhe në paqe

Aktuale February 13, 2026 - 09:42

Deputeti nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryetarit të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si një akt të vetëdijes së lartë politike dhe përgjegjësie institucionale.

“Ramush Haradinajt i shpreh respekt për bashkëpunimin institucional dhe për vendimet që kemi marrë së bashku në shërbim të shtetit, në kohë jo të lehta për Kosovën”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai ka vlerësuar rolin e Haradinajt në proceset kyçe të shtetndërtimit, duke shtuar se “kontributi i tij dhe i familjes së tij në luftën çlirimtare dhe në konsolidimin e shtetësisë sonë është pjesë e pandashme e rrugëtimit të Republikës”.

Në reagimin e tij, Hoxhaj ka nënvizuar se “Kosova është ndërtuar mbi sakrificë, përgjegjësi dhe vizion shtetformues, vlera që duhet t’i ruajmë dhe forcojmë çdo ditë”.

Duke folur për aktin e tërheqjes së Haradinajt nga drejtimi i AAK-së ai ka deklaruar se “akti i dorëheqjes së Haradinaj është shprehje e vetëdijes së lartë të një politikani, i cili dëshiron të hapë rrugë, duke dëshmuar se është guximtar në paqe, ashtu siç ishte trim në luftë”.

Sipas Hoxhajt, “ky është një shembull që do të na shërbejë si mësim për të ardhmen demokratike të Kosovës”.