Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, LDK-ja nuk voton
Foto: Laura Hasani

Miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, LDK-ja nuk voton

Aktuale February 12, 2026 - 20:20

 Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku në rend të ditës janë tri pika për t’u shqyrtuar.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.

Në prezantimin e përmbajtjes, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se rezoluta është hartuar nga ekspertë të pavarur.

Teksti i rezolutës:

KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.

KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.

INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.

KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.

KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Pritet të miratohet rezoluta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-ës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që pika e tretë e rendit të ditës, ajo për Rezolutën për Hagën, të dalë e para.

“Kërkoj që pika e tretë, ajo e Rezolutës për Hagën, të vendoset në pikën e parë, pasi kryetari Ramush Haradinaj e ka një obligim dhe ka dëshirë të jetë pjesë e votimit të kësaj rezolute”, tha Tahiri.

Kjo u aprovua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, teksa kërkoi që të votohet për ndërrimin e rendit të ditës.

101 deputetët e pranishëm votuan pro.

Fillon seanca, betohen deputetët e rinj

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka hapur punimet e seancës së jashtëzakonshme plenare ku janë të pranishëm 110 deputetë të legjislaturës së dhjetë.

Haxhiu ka njoftuar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ndërmarrë hapat ligjor për zëvendësimin e deputetëve të cilët janë pjesë e kabinetit qeveritar dhe do të mbajnë postin e ministrave.

Deputetët do të trajtojnë zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars, formimin e komisioneve parlamentare, si dhe propozim-rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Kjo është seanca e parë pas konstituimit të djeshëm të legjislaturës së dhjetë. /telegrafi