Pacolli sqaron kreditë ndaj familjes Murseli, pasi e përmendi sot Naim Murseli

Pacolli sqaron kreditë ndaj familjes Murseli, pasi e përmendi sot Naim Murseli

Aktuale February 11, 2026 - 17:25

Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht pas seancës së sotme gjyqësore në kuadër të procesit penal ndaj Naim Murselit, ku ndër temat e trajtuara ka qenë edhe një kredi e garantuar prej tij për familjen Murseli.

Pacolli ka bërë të ditur se kredia ishte dhënë për Liridonën dhe Naim Murselin në kohën kur familja kishte blerë një lokal në qytetin Uddevalla të Suedisë, ku kishte punuar edhe e ndjera Liridona.

Sipas tij, nga kjo kredi janë kthyer në para të gatshme më pak se 12 mijë euro, ndërsa një pjesë e kompensimit është realizuar përmes punës që Naim Murseli kishte kryer për kompanitë e grupit Mabetex, Fondacionin BP dhe disa platforma në rrjetet sociale, kryesisht në mirëmbajtjen e faqeve të internetit.

“Unë nuk besoj se kjo shumë është kthyer në tërësi, por nga ana ime nuk ka pasur asnjë trysni apo kërkesë për ndonjë kthim urgjent,” ka deklaruar Pacolli.

Ai sqaroi se këto informacione janë dhënë edhe për mediat e interesuara për këtë çështje, të cilat kanë kërkuar sqarime lidhur me aspektin financiar të marrëdhënieve me familjen Murseli, në kontekstin e procesit gjyqësor që po zhvillohet. /Zëri