Mishetiq: S’ka prova që Thaçi mori pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm

Mishetiq: S’ka prova që Thaçi mori pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm

Aktuale February 11, 2026 - 12:02

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, para trupit gjykues ka vazhduar të paraqesë argumentet se pse Thaçi është i pafajshëm në pikat e kësaj çështjeje penale, duke përfshirë edhe faktin se klienti i tij nuk ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Mishetiqi deklaroi se Hashim Thaçi nuk ka qenë në Kosovë gjatë një pjese të madhe të periudhës që përmendet në aktakuzë, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova që ai ka marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, Prokuroria po përpiqet të anashkalojë mungesën e Thaçit në Kosovë duke pretenduar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar me të përmes telefonit ose janë njoftuar më pas për rezultatet e takimeve.

“Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”, ka deklaruar Mishetiqi.

Mishetiqi ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me komunikatat e UÇK-së dhe me atë se ato kanë pasur mesazhe që kanë nxitur krimin.

“Komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimit sepse në të kundërtën dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje do ta kishin ditur këtë dhe do e kishin bërë me dije për ju”, tha Mishetiqi.

Mbrojtësi Mishetiq thotë se Prokuroria duhet të japë argumente të shkakut dhe pasojës se pse komunikatat pretendon që çuan në kryerjen e krimeve në aktakuzë. Ai thotë se Prokuroria mbështetet në deklaratat e Rrustem Mustafës - Remit.