Hoxha pritet nga Imzot Dodë Gjergji në Katedrale – Ipeshkvia e Kosovës mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë”
Përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha është pritur në takim nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, e cila përfshin Kishën Katolike në Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, i cili i ka shprehur përkrahjen e komunitetit katolik për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Në këtë takim, Hoxha tha se mbështetja që po merr Marshi edhe nga bashkësitë fetare shtë dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore.
“Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, tha Hoxha.
Ndërkaq, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji tha se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e drejtë dhe në shërbim të së vërtetës.
“Komuniteti katolik në Kosovë e mbështet këtë marsh si një angazhim qytetar për drejtësi të paanshme dhe për ruajtjen e vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar liria e vendit tonë”, shtoi ai.
Platforma “Liria ka Emër” fton të gjithë qytetarët, organizatat, grupet shoqërore dhe komunitetet në mbarë vendin që t’i bashkohen marshit më 17 shkurt, për të dëshmuar unitet dhe për të kërkuar drejtësi të paanshme.