Mbrojtësi i viktimave: Kërkojmë nga Gjykata që në aktgjykim ta njohë dëmin e humbjes së shtëpive nga ana e serbëve
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka kërkuar nga Gjykata e Hagës që në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ta njohë humbjen e shtëpive të serbëve si dëm në aktgjykimin e këtij rasti.
“Kur trajtoj punën e shtëpisë ne përqendrohemi në thelb në viktimat serbe që janë zhvendosur jo për shkak të konfliktit në vetvete, por për shkak të anëtarëve të UÇK-së”, tha ai.
Ai u thirr në një parim ligjor, duke thënë se viktimat e kanë të drejtën e zhdëmtimit, kthimin në vendbanimin e tyre, pronave të tyre dhe kthimi në vendin e punës që kanë pasur përpara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kjo siç e dimë është mundësi vetëm për një numër të vogël viktimash dhe jo për pjesën dërrmuese të viktimave”, tha Lawsi.
Lawsi e ftoi gjykatën që ta njohë këtë të drejtë në aktgjykimin e tyre në këtë rast.
“Ky është një grup që ka vuajtur një dëm shumë specifik dhe ne e ftojmë gjykatën që ta njohë në aktgjykimin e vet”, u shpreh ai.
Ndryshe, Lawsi gjatë deklaratës së tij përmbyllëse tregoi për pasojat që kanë pasur edhe viktimat e tërthorta edhe sidomos te fëmijët si brez i dytë i traumës.
Me këtë, përfundoi deklarimi i mbrojtjes së viktimave, për të vazhduar nesër me fjalën përfundimtare të mbrojtjes së Thaçit.