Specialja deklarohet pas lirimit me kusht të Haxhi Shalës

Specialja deklarohet pas lirimit me kusht të Haxhi Shalës

Aktuale February 10, 2026 - 14:32

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se kryetarja e Dhomave, Ekaterina Trendafilova, ka vendosur më 2 shkurt 2026 të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës, duke lejuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e Gjykatës.

Sipas njoftimit, kushtet do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të tre vjetëve të dënimit të tij. Shala u lirua dhe u kthye në Kosovë sot, më 10 shkurt 2026.

Tutje thuhet se, Trendafilova mori parasysh se Shala kishte treguar shenja rehabilitimi dhe i kishte dërguar një letër ku shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo vuri në dukje marrëdhëniet familjare pozitive, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin shoqëror të gjerë, të cilat tregojnë një perspektivë të arsyeshme rehabilitimi.

Kryetarja theksoi se, megjithëse veprat penale për të cilat Shala u shpall fajtor janë të rënda, letra ishte iniciativë e tij personale dhe pas një periudhe reflektimi, duke treguar distancim të sinqertë nga veprat penale.

“Procedurat e uljes, modifikimit ose ndryshimit të dënimeve sipas nenit 51(2) të Ligjit janë individuale. Kur një person ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai nuk ka të drejtë vetë të kërkojë ulje, modifikim ose ndryshim, por vetëm përmbush kriteret për shqyrtim të mundësisë së modifikimit të dënimit”, thuhet në njoftimin për media nga Dhomat e Specializuara në Hagë. /Zëri